Ndërlidhjet

Marniak: Mbrojtja e dëshmitarëve e EULEKS-it funksionon


Shumë njerëz janë në dijeni të rastit të ashtuquajtur Kleçka dhe të dëshmitarit X, shkruan në letrën e tij të hapur, shefi i Misionit EULEKS në Kosovë, Ksavier Bout de Marniak.

Gjatë disa javëve të kaluara, që nga vdekja tragjike e Agim Zogajt, shumë vëmendje i është kushtuar mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë. Kjo na e ka kujtuar me dhimbje të gjithë neve rolin kryesor të dëshmitarëve në hetime dhe rëndësinë e ofrimit të mbrojtjes adekuate dhe të sigurisë qytetarëve të cilët dëshirojnë ta luajnë rolin e tyre në ndërtimin e sundimit të ligjit, duke u paraqitur dhe dëshmuar lidhur me atë që kanë parë apo që kanë përjetuar.

Mëtutje zoti Marniak thekson se mbrojtja e dëshmitarëve të rëndësishëm gjatë një rasti gjyqësor është standard themelor i çdo vendi bashkëkohor dhe demokratik. Mendoj se të gjithë pajtohen me këtë.

Të jemi të sinqertë lidhur me këtë, ka pasur shumë raste të vrasjes dhe të kërcënimit të dëshmitarëve ose të frikësimit të familjeve të tyre, jo vetëm në Kosovë ose në Ballkan. Kjo ndodhë edhe në vendet e tjera evropiane. Fatkeqësisht, është realitet i hidhur që nëse duhet të burgosen kriminelët, nëse duhet të arrihet drejtësia, atëherë dëshmitarët duhet të mbrohen, në mënyrë që t’i japin dëshmitë e tyre pa qenë të kërcënuar apo të frikësuar.

Gjendja në Kosovë nuk është e kënaqshme. Autoritetet po ndërmarrin veprime për t’ju ofruar dëshmitarëve mbrojtje, por për këtë duhet kohë. Të gjithë e pranojnë që Kosova duhet të bëjë përmirësime në mënyrë që të ecë përpara dhe të zhvillohet në këtë drejtim, sa më parë që të jetë e mundur.

Ndërsa Kosova është në proces të krijimit të programit të saj për mbrojtjen e dëshmitarëve, EULEX-i e ka Programin e vetë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, i cili funksionon në Kosovë dhe jashtë. Në të punojnë zyrtarët të cilët kanë përvojë mjaft të madhe në këtë fushë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme, shkruan Marniak në letrën e tij të hapur.

Nuk mund të japë emra ose hollësi ose shifra sepse e tërë çështja qëndron këtu – kjo duhet të mbetet sekret për hirë të sigurisë dhe mbrojtjes së atyre individëve dhe familjeve të tyre që kalojnë nëpër Program. Por mund t’ju them që Programi është provuar vazhdimisht dhe shumë njerëz e kanë shfrytëzuar atë dhe po e shfrytëzojnë ende. EULEX-i e ka krijuar këtë Program me qëllim që t’i ndihmojë Kosovës të merret me disa prej rasteve më të vështira dhe më sfiduese gjyqësore, thuhet, pos tjerash, në letrën e hapur të shefit të EULEKS-it në Kosovë, Ksavier Bout de Marniak.
XS
SM
MD
LG