Ndërlidhjet

Bjellorusi: Kritika ndërkombëtare për dënimin me vdekje


Një gjykatë në Bjellorusi sot i ka dënuar me vdekje dy persona, për sulmin me bombë në një stacion të metros në kryeqytetin Minsk, me ç’rast ishin vrarë 15 vetë dhe plagosur më se 200 të tjerë.

Dzmitry Kanavalau dhe Uladzislau Kavalyou, të dy 25 vjeçar, ishin arrestuar tri ditë pas eksplodimit në metro, kur ajo ishte e mbushur me njerëz.

Por, vendimi i sotëm ka shkaktuar kritika ndërkombëtare.

Organizata Amnesty International tha se procesi nuk i ka plotësuar standardet ndërkombëtare dhe se ka shqetësime “serioze” se të dënuarit ishin keqtrajtuar në burg.

Bashkimi Evropian, poashtu, ka reaguar kundër dënimit me vdekje.

“Përfaqësuesja e lartë, Ketrin Eshton, me keqardhje e ka pritur vendimin e Gjykatës Supreme për dënimin me vdekje të personave Dzmitry Kanavalau dhe Uladzislau Kavalyou, dhe ka shprehur shpresën se e drejta e tyre për ankesë do të ushtrohet plotësisht”, tha zëdhënësja Maja Kocijançiq.
XS
SM
MD
LG