Ndërlidhjet

Sulm qyqar





Varrezat e hebrenjve në lagjen “Velania” të Prishtinës janë përdhosur nga persona të panjohur, të cilët kanë vënë mbi to mbishkrime naziste. Në secilin varr është shkruar simboli nazist që ndryshe njihet si "svastika".

Ky akt ka nxitur reagime të shumta si nga institucionet e Kosovës, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.

Policia është njoftuar në lidhje me ngjarjen, por nuk ka identifikuar ende të dyshuarit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se janë duke u kryer hetimet, por, sipas tij, deri më tani, nuk ka të dyshuar.

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
“Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka iniciuar rastin. Është kontaktuar edhe eksperti i Drejtorisë së Monumenteve në Prishtinë. Janë kontaktuar edhe zyrtarë të hetuesisë së stacionit qendër në Prishtinë dhe janë duke u zhvilluar hetimet në të gjitha pistat e mundshme, për të arritur deri te kryesi i kësaj vepre”, ka thënë Sadriu.

E para që ka reaguar ndaj aktit vandal në varrezat e hebrenjve, ka qenë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, duke e dënuar fuqishëm atë.

“Kjo vepër e urrejtjes përbën fyerje jo vetëm ndaj familjeve të të varrosurve aty dhe ndaj komunitetit hebraik në Kosovë e përtej, por po ashtu është fyerje ndaj shtetit dhe shoqërisë shumetnike kosovare. Kjo është një vepër e përbuzjes së normave më themelore të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit dhe nuk mund të tolerohet”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë.


Akt i urrejtjes

Me tone të ashpra kundër përdhosjes së varrezave hebraike ka reaguar edhe kongresisti amerikan, Eliot Engel, që është edhe bashkë-kryetar i Grupit të Kongresit për çështjet shqiptare.

Në një deklaratë për media, kongresisti Engel i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i ndëshkojë autorët e aktit në formën më të rëndë që parashikon ligji.

“Jam i indinjuar nga ky akt i urryer i përdhosjes së varrezës së hebrenjve në Prishtinë. Prekja e vendit të prehjes së anëtarëve të komunitetit të vogël hebraik në Kosovë është një akt urrejtjeje që nuk duhet të lejohet të hedhë rrënjë. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës të hetojë imtësisht vandalizmin dhe t’i ndëshkojë autorët, siç parashikohet me ligj”, ka thënë kongresisti Engel në deklaratën e tij.

Sulmin në fjalë, sekretari i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, Lekë Rezniqi, e ka quajtur të papranueshëm.

“Aktet e tilla janë të papranueshme, sidomos këtu te ne, duke i pasur parasysh marrëdhëniet tona që i kemi pasur me komunitetin hebraik me vite dhe më shekuj”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Mendim të ngjashëm ka edhe Florent Hajrizi, nga Qendra për Menaxhimin e konflikteve "Partners Kosova".

“Mendoj se këto akte janë të papranueshme për çdo qytetar, e sidomos kur bëhet fjalë për një komunitet, i cili ka qenë i mbështetur dhe i pranishëm në Kosovë. Aktet e tilla nuk i kontribuojnë asnjë interesi të Kosovës”, ka thënë Hajrizi.

Reagime ndaj vendosjes së mbishkrimeve në varrezat e hebrenjve në lagjen “Velania” kanë ardhur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
...akt në kundërshtim të plotë me traditat dhe vlerat e popullit të Kosovës.

“Dëmtimi i varrezave paraqet një akt në kundërshtim të plotë me traditat dhe vlerat e popullit të Kosovës, të mbështetura në tolerancë dhe respekt të plotë për të gjithë të vdekurit dhe të gjitha monumentet”, thuhet në reagimin e presidentes.

Në deklaratën e kryeministrit Thaçi thuhet se “ky sulm qyqar është një sulm kundër shtetit të Kosovës dhe, mbi të gjitha, është një sulm kundër vlerave të traditës së qytetarëve të Kosovës për tolerancë, bashkëjetesë dhe respekt, që i kemi kultivuar gjatë gjithë historisë sonë”.

“Këto akte të ulëta janë të papranueshme për Qeverinë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë
”, ka thënë Thaçi.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri kanë strehuar dhe mbrojtur hebrenj. Në mesin e tyre është edhe familja Rezniqi në Kosovë, anëtarë të së cilës sot jetojnë në Prishtinë. Kjo familje njihet për rolin që ka luajtur lidhur me mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist dhe për këtë ka marrë mirënjohje edhe nga shteti izraelit.
XS
SM
MD
LG