Ndërlidhjet

Një Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e SIDA-s – këtë vit Kosovën e gjen me 4 raste të reja të personave që janë prekur nga virusi HIV. Sipas infektologëve, Kosova grumbullon 85 persona të prekur nga kjo sëmundje, ndërsa nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë, kanë vdekur 35 persona.

Shifrat i konfirmon Izet Sadiku, infektolog në Qendrën Klinike Universitare, i cili thotë se numri i personave që testohen është çdo ditë në rritje.



Por, sa dinë të rinjtë për virusin HIV/AIDS?

Besart Mukulani, rreth 18 vjeç, thotë se i di vetëm gjërat elementare. Ai mendon se duhet një sensibilizim më i madh i shoqërisë për sëmundjen në fjalë.

“I kam mësuar disa gjëra elementare. Kam mbajtur një trajnim dyditor për t’u informuar. Por, mendoj se të rinjtë nuk dinë mjaft dhe nuk janë të interesuar për të ditur”, thotë ai.

Edhe Liridona Gashi, e cila është nxënëse e shkollës së mesme, thotë se ka pak informata a lidhur me HIV/AIDS-in.

“Kemi mësuar pak në shkollë. Është një sëmundje ngjitëse, por na duhen informata shtesë”, thotë ajo.

Fatime Arënliu Qosaj, këshilltare për HIV/AIDS në Zyrën e Koordinatorit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, thotë se është bërë një hulumtim me të rinjtë e shkollave të mesme, për të kuptuar se sa janë të informuar lidhur me këtë sëmundje.

“Në bazë të hulumtimit që kemi pasur lidhur me njohuritë për HIV/AIDS-in, ka rezultuar se 90 për qind e të rinjve kanë dëgjuar, por vetëm 20 për qind janë përgjigjur korrekt në pyetjet standarde lidhur me këtë sëmundje. Andaj, mendoj se niveli i njohurive, në bazë të studimit, është jo i kënaqshëm”, thotë Arënliu Qosaj.

Alban Gjonbalaj është i prekur me virusin HIV. Ai është edhe drejtor i Organizatës për personat që jetojnë me HIV në Kosovë.

Sipas tij, problemet me të cilat ballafaqohen të prekurit, janë nga më të ndryshmet. Ai përmend diskriminimin, por nuk anashkalon edhe moskujdesin e stafit mjekësor për këta persona.

“Një person ka vdekur si pasojë e moskujdesit nga stafi mjekësor, muajin e kaluar”, thotë ai.

Në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet të jetë formuar Komiteti për HIV/AIDS-in. Sipas sekretarit të përhershëm të kësaj ministrie, Ilir Tolaj, formimi i organizmave të tillë është rekomandim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Fakti që ekziston edhe një trup, i cili deri në një masë është i pavarur nga institucionet, jep komoditetin për të vlerësuar në mënyrë kritike përmbushjen e strategjisë, por edhe të detyrave që i marrin organizatat që punojnë për luftimin e kësaj sëmundjeje”, thotë Tolaj.

OBSH

OBSH

Sipas përfaqësuesit të OBSH-së në Prishtinë, Skënder Syla, Kosova konsiderohet si vend me prevalencë të ulët sa i përket HIV/AIDS-it.

“Në shënimin e Ditës Botërore të HIV/AIDS-it, Kosova qëndron mirë, edhe pse faktorët e rrezikut - trafikimi me qenie njerëzore, përdorimi i drogave intravenoze dhe sjelljet e rrezikshme - janë të pranishëm".

"Duhet të bëjmë çmos, të gjithë së bashku, që mesazhet të orientohen te të rinjtë, që të mos bien pre e veprimeve që kanë pasoja negative për shëndetin e tyre”,
shprehet Syla.

Për nder të Ditës Botërore kundër HIV/AIDS-it, në Prishtinë janë mbajtur aktivitete të shumta, me qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për këtë sëmundje.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG