Ndërlidhjet

logo-print

Lustrimi në Maqedoni: Detyrim edhe për gazetarët


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në pajtueshmëri me ligjin në Maqedoni, për të gjithë gazetarët që kanë marrëdhënie të rregullt pune, prej ditës së sotme fillon detyrimi për paraqitjen e deklaratës së verifikuar në noteri, se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.

Kryetari i Komisionit për Lustrim, Tome Haxhiev, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se, nëse Komisioni vërteton që ndonjë gazetar apo redaktor është bashkëpunëtor, atëherë pronari i medias do të vendosë nëse ai do të mbetet edhe më tutje në atë detyrë apo do të largohet nga puna.

“Pronarit i mbetet të vlerësojë se a është mirë që në mediumin e tij të punojnë persona, për të cilët Komisioni për Lustrim ka deklaruar se kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete”, thotë Haxhiev.

Nazim Rashiti, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tetovës, thotë se nuk ka asgjë të keqe që edhe punonjësit e medieve, si figura publike, t`i nënshtrohen procesit të lustrimit. Por, siç nënvizon ai, është diskutabile përfshirja në procesin e lustrimit edhe të gjeneratave më të reja, të cilat nuk kanë lidhje me regjimin e kaluar monist.

“Ajo, që një pjesë e gazetarëve e vë në dyshim, është fakti se për çka do të lustroheshin gazetarët, të cilët janë në një moshë relativisht të re. Në këtë drejtim presupozohet se ndoshta disa prej tyre mund të jenë pjesë e shërbimeve aktuale sekrete. Nëse po, atëherë do të hapeshin dilema të tjera rreth asaj që duhet të përfaqësojë lustrimi”, thotë Rashiti, duke ritheksuar qëllimin e procesit të lustrimit:

“Ideja fillestare e lustrimit ishte që të shikonte nëse personat publikë, personat që kanë poste, sidomos ata që janë në qeveri ose në përgjithësi në politikë, kanë lidhje me shërbimet e sistemit të kaluar”.

Në këtë drejtim, kryetari i Komisionit për Lustrim në Maqedoni, Tome Haxhiev, është i vendosur: procesit të lustrimit do t’i nënshtrohen gazetarët, si për regjimin e kaluar, ashtu edhe për periudhën e tanishme, si persona që kryejnë funksione publike.

“Duke filluar nga viti 1944 e deri më sot, procesit të lustrimit do t’i nënshtrohen të gjithë personat që kanë funksione publike, përfshirë dhe gazetarët”, thekson Axhiev.

Procedurë identike është paraparë edhe për drejtuesit fetarë. Klerikët, me këtë rast, kanë dalë me qëndrim se nuk duhet t’i nënshtrohen procesit të lustrimit, pasi që “jetojnë sipas ligjeve të Zotit”.

Lustrimit do t`i nënshtrohen edhe organizatat joqeveritare.

Albert Musliu, nga Organizata Joqeveritare për Zhvillim Demokratik, vlerëson se, jo rrallëherë, lustrimi nga autoritetet shtetërore është përdorur si masë ndëshkuese për ata, të cilët nuk pajtohen me politikat shtetërore.

“Duke njohur vetëdijen politike këtu në Maqedoni, besoj se do të ketë raste kur qeveria do të tentojë, që përmes këtij procesi, t’i disiplinojnë ose heshtë ata që duhet të jenë korrigjuesit më të mëdhenj të punës së qeverisë”.

“Sa i përket procesit të lustrimit si proces, më duhet të theksoj se Maqedonia është e vonuar, sepse të njëjtin është dashur ta përmbyllë më herët”,
thotë Albert Musliu.
XS
SM
MD
LG