Ndërlidhjet

WSJ: S’ka talibanë të moderuar


Pjesëtarë të lëvizjes talibane në Afganistan.
Pjesëtarë të lëvizjes talibane në Afganistan.
"Wall Street Journal"

Dhjetë vjet më parë, komuniteti ndërkombëtar ndihmoi Afganistanin për të rrëzuar talibanët dhe ideologjinë e tyre të dhunës dhe të ekstremizmit. Miliona njerëz u gëzuan me shkatërrimin e regjimit mizor dhe të përbuzur. Për herë të parë, femrat tani ndjehen mjaft të sigurta për të lënë shtëpitë dhe për të kërkuar punë.

“Kryeqyteti afgan tani është i gjallë, me gra në rrugë dhe njerëz që janë në gjendje të shkojnë në spital. Është shumë më ndryshe se para dhjetë vjetësh”, thotë përfaqësuesi i lartë të NATO-s në Kabul, Simon Ges.

Javën e ardhshme, ministrat e jashtëm të të gjithë botës do të tubohen në Bon të Gjermanisë për të negociuar të ardhmen politike të Afganistanit.

Dhjetë vjet të përgjakshëm të betejës anti-talibane kanë lënë gjurmët e tyre në vendet perëndimore, si ushtarakisht, ashtu edhe politikisht. Buxhetet janë zgjatur si kurrë më parë, ndërsa mbështetja e votuesve për luftën është më e ulëta në të gjitha kohërat.

I përballur me presione të tilla, Perëndimi thotë se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake të konfliktit, por vetëm zgjidhje politike, e cila përfshin të gjitha grupet etnike të Afganistanit.

Në sytë e komunitetit ndërkombëtar, një gjë e tillë do të thotë akomodim i talibanëve, para se trupat luftarake të lënë Afganistanin në vitin 2014.

Përpjekjet për të negociuar me një armik të papajtueshëm mund të shihen edhe si qesharake. Por, për Perëndimin marrëveshja me talibanët është esenciale për tranzicionin e tij.

Kjo bindje në negociata duket të jetë bazuar në besimin se ekzistojnë elemente “të moderuara” të talibanëve dhe se ato mund të çojnë drejt mbështetjes së demokracisë kushtetuese.

Lodhja e politikanëve perëndimorë shihet qartë, por gatishmëria e tyre për kompromis me talibanët duket të jetë dritëshkurtër.

Talibanë të moderuar nuk ka. Një gjë të tillë mund ta dëshmojnë afganët që kujtojnë vitet ’90. Nëse liderët perëndimorë kanë përjetuar egërsinë e tyre, ata do të ishin më pak naivë.

Duke iu mundësuar talibanëve të rifitojnë mbështetje në politikën e Afganistanit, rrezikohet të ndodhë një gabim katastrofal. Çfarë do të thoshte kjo për seriozitetin e doktrinës së ‘post – 11 Shtatorit”, për çrrënjosjen e regjimeve që ndihmojnë terroristët?

Çfarë do të thoshte për premtimin e Barak Obamës se Amerika do të jetë mik i “çdo burri, gruaje apo fëmije që kërkon të ardhme paqësore dhe të dinjitetshme”?

Terroristët do të trimërohen nga ajo që ata e shohin si kapriçio të Perëndimit.

Në konferencën e Bonit, ministrat padyshim se do t’i zmadhojnë përmirësimet në jetën e përditshme të afganëve, veprimet e ndërmarra për të ndaluar tregtinë e drogës dhe zhvillimet graduale të shoqërisë civile – elemente këto që nuk do të ndodhnin pa këmbënguljen dhe angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, e që do të dëmtoheshin me rikthimin e talibanëve në pushtet.

Por, nëse ministrat do të dëgjonin njerëzit afganë, e posaçërisht gratë, me siguri se do të mendoheshin dy herë para se të bënin marrëveshje me talibanët, për hir të dobive politike. (v.t.)
XS
SM
MD
LG