Ndërlidhjet

Marrëdhëniet ndëretnike - problem madhor


Kim Mehmeti

Kim Mehmeti

Problemi më madhor i Maqedonisë janë marrëdhëniet ndëretnike... Maqedonia ndërtohet sipas formulave të ish-Jugosllavisë, ku kemi marrëdhënie të mira mes elitave politike multi-etnike, mirëpo poshtë popullit gjithnjë e më shumë largohet, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti Kim Mehmeti.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mehmeti, si i vlerësoni ju raportet ndëretnike në Maqedoni që, sipas vlerësimeve të ndryshme, janë përshkallëzuar, jo vetëm brenda fushave sportive, por edhe jashtë tyre?

KIM MEHMETI
Problemi më madhor i Maqedonisë nuk është ai që shihet në sipërfaqe dhe përmendet - çështja e emrit. Problemi më madhor i Maqedonisë janë marrëdhëniet ndëretnike.

Maqedonia, gjatë këtyre 20 vjetëve, dëshmoi se nuk mund të përballet me këto probleme. Nuk di a nuk ka forcë politike, apo nuk ka vullnet politik që t'i shohë ato në sy dhe të konstatojë se ky shtet, sa u përket marrëdhënieve ndëretnike, zhvillimin e vet e bën njëjtë si ish-Jugosllavia.

E kam përsëritur shpesh se Maqedonia ndërtohet sipas formulave të ish-Jugosllavisë, ku kemi marrëdhënie të mira mes elitave politike multi-etnike, mirëpo poshtë popullit gjithnjë e më shumë largohet. Apo, sa më i afërt bëhet Ali Ahmeti me Nikolla Gruevskin, aq më e dobët bëhet lidhja kohezive mes qytetarëve në Maqedoni. Kjo dëshmon se këtu nuk është gjetur formula e vërtetë se si duhet të ndërtohet një shtet multietnik.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se liderët politikë nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që mund të paraqiten nga këto konstatime, për raportet jo të mira ndëretnike?

KIM MEHMETI
Do të ishte naive të mendohet se ata nuk e dinë se çfarë ndodh, mirëpo unë mendoj se ata janë të vetëdijshëm se nuk kanë kapacitet ta zgjidhin atë problem dhe veprojnë sipas logjikës: “Le të mos rrjedhë ujë derisa është mjeshtri në shtëpi.”.

Këtë e mbështes edhe në atë se edhe marrëdhëniet ndëretnike rregullohen sezonalisht, pas çdo katër vjetëve, varësisht se cilët janë shokët e koalicionit qeverisës. Këtu nuk ekziston koncept për zgjidhjen e marrëdhënieve ndëretnike.

Andaj, edhe kjo është normale, pasi këtu nuk ndërtohet “Demokraci”, por “Tenderokraci”, d.m.th. edhe marrëdhëniet ndëretnike janë pjesë e tregtive ndërpartiake të partive që vijnë në qeveri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mehmeti, ku ndodhen sot shqiptarët në Maqedoni, sa u përket të drejtave?

KIM MEHMETI
Mua, gjithnjë e më shumë - meqë jam njeri në moshë dhe kam jetuar në sistemin e kaluar - më duket çdo gjë sikur e përsëritur nga koha e socializmit; atëherë kishte shqiptarë të nomenklaturës qeverisëse dhe partiake, që kishin vetëm një obligim - që neve shqiptarëve të na thoshin se çdo gjë është në rregull dhe se çdo gjë do të shkojë në të mbarë.

Të njëjtën e bëjnë edhe pushtetarët e sotëm shqiptarë. Nëse e vëreni, çdoherë që ne jemi kritikë ndaj Nikolla Gruevskit, ata dalin dhe thonë se nuk është ashtu, d.m.th. e mbrojnë pushtetin nga ne, shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e emrit vazhdon të mbetet aty ku ka qenë para 20 vjetëve... Besoni në zgjidhjen e këtij kontesti, pasi zyrtarët po shfaqin shenja optimizmi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që pritet të prononcohet rreth padisë së ngritur ndaj Greqisë?

KIM MEHMETI
Cilido që të jetë vendimi i GJND-së, le të jetë edhe në favor të Maqedonisë, ai nuk do të ketë kurrfarë avantazhi për Maqedoninë, sepse ai vendim nuk do të jetë obligues për askënd. Relacionet globale dhe ndërshtetërore mbeten ato që janë - i forti është i fortë, i dobëti është i dobët.

Unë mendoj se kjo vetëm sa do t'u shërbejë qeveritarëve të këtushëm që ta mbulojnë këtë problem edhe një kohë, ta bëjnë më të frytshëm populizimin e vet dhe të dalin para popullit dhe të thonë se ‘ja, ne kemi të drejtë dhe Greqia është humbëse’. Por, e vërteta është se Maqedonia mbetet humbëse dhe do të jetë humbëse e madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Para zgjedhjeve të qershorit, të gjithë prisnin se Bashkimi Demokratik për Integrim, si pjesë e qeverisë, do të ndikojë në qasjen e qeverisë apo të Gruevskit për zgjidhjen e emrit. Këtë opinion e prisni duke marrë parasysh deklaratat kushtëzuese të zyrtarëve të kësaj partie... Po kjo, deri më tani, nuk ka ndodhur. Si e shihni rolin e BDI-së?

KIM MEHMETI
BDI-ja nuk ka asnjë vizion se si dhe ku duhet të shkojnë shqiptarët që i përfaqëson dhe duke mos e pasur këtë vizion, ajo merret me çështje globale. Ju, nëse i dëgjoni përfaqësuesit e BDI-së, keni ndjenjën se ata janë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe këtu kanë ardhur vetëm për të vlerësuar situatën dhe të tregojnë se cila është zgjidhja, që, sipas tyre, qenka NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.

Pra, duke mos pasur koncept se si do të zgjidhet problemi i gjuhës, si do të zgjidhen problemet që neve do të na bëjnë bashkësundues të shtetit e jo vazalë të shtetit, ata neve na ushqejnë me atë se ne, kur të shkojmë në Bruksel, kur të bëhemi anëtarë të NATO-së, do t’i kemi të gjitha.

Mirëpo ne, në ndërkohë, humbim. Ne kemi humbur 20 buxhete të këtij shteti, ku ndarja është bërë në parimet etnike, ku çdo gjë i ka takuar palës maqedonase e asgjë asaj shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithëkëtë, partia vazhdon ta ketë mbështetjen e popullatës. Këtë e tregojnë të gjitha anketat. Si e shpjegoni këtë fakt?

KIM MEHMETI
Populli ka të drejtë të gabojë. Unë nuk kam të drejtë, sepse unë përfaqësoj vetëm vetveten dhe gabimet e mia i paguaj unë. Populli ka të drejtë të gabojë.

Cilën alternativë keni kundër BDI-së? E keni një parti tjetër që është si ato kompanitë private, madje edhe më private seç është BDI-ja.

Ç'mund të pritet prej popullit kur e di se partia të punëson, partia të dënon, partia të ofron lirinë, se certifikata partiake t’i ofron të gjitha, se partia është pronare e universiteteve.

Prandaj, shqiptari jonë e jep votën për 20 euro. Ai e jep votën për një punësim dhe këto mendoj se nuk janë punë të vogla për një familje që nuk ka as edhe një të punësuar. Unë kam mirëkuptim sepse ai ka ndonjë hall që e bën këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni gjendjen në media? Janë mbyllur mediat që nga pushteti konsideroheshin opozitare, ndërsa të tjera kanë kaluar, thënë kushtimisht, në anën e qeverisë?

KIM MEHMETI
Maqedonia ka dëshmuar se nuk ka opinion publik. Ju nuk mund t'ua mbyllni sllovenëve një televizion vetëm pse ashtu i është kujtuar qeverisë. Nuk është e mundur që në asnjë shtet demokratik, që ka opinion, që frikohet nga opinioni, të veprohet ashtu siç veprohet këtu.

Mirëpo, pushtetarët këtu e kanë kuptuar se këtij populli, nëse nuk ia rrënon muret e shtëpisë, nuk shqetësohet shumë për atë që ndodh jashtë saj.

Duke e ditur këtë, ata e bënë atë që e bënë me televizionin A1 dhe me gazetat që botoheshin nga Velija Ramkovski.
XS
SM
MD
LG