Ndërlidhjet

Letrat me vlerë: Përfitime për zhvillimin ekonomik


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Njohës të çështjeve ekonomikë në Prishtinë thonë se emetimi i letrave me vlerë, që pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm, do të jetë një burim shtesë për financimin e nevojave për zhvillimin ekonomik të Kosovës, konkretisht në projektet e rëndësishme.

Milazim Abazi, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se emetimi i letrave me vlerë është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike që mund të ndodhë në Kosovë.
Tregtimi i letrave me vlerë do të ngjallë shumë potenciale të fjetura ekonomike të Kosovës.

“Fillimi i emetimit të letrave me vlerë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në Kosovën e pasluftës. Ky aktivitet, pra tregtimi i letrave me vlerë, do të ngjallë shumë potenciale të fjetura ekonomike të Kosovës”, thotë ai.

Letrat me vlerë, sipas Abazit, do t’i hapnin rrugë Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për ta investuar një pjesë të fondit të saj në Kosovë. Ky fond, me vite të tëra, është kërkuar të kthehet dhe të investohet në Kosovë.

Sipas Ligjit të AKP-së, pjesa e mbetur e fondit të grumbulluar nga privatizimi i ndërmarrjeve, në përputhje me kritere të arsyeshme të investimit, që mbahet në mirëbesim nga Agjencia, do të investohet në letra me vlerë dhe instrumente të tjera financiare, të klasifikuara nga agjenci ndërkombëtare të klasifikimit.

Milazim Abazi thekson se emetimi i letrave me vlerë do të jetë një burim i ri i financimit për Qeverinë e Kosovës.

“Duke blerë Trusti Pensional letra me vlerë të qeverisë, duke blerë Fondi i Privatizimit letra me vlerë, do të mundësohet që një pjesë e mirë e mjeteve, që për interesa fare të ulët po mbahet jashtë vendit, të investohet në letra me vlerë dhe me ato para Qeveria e Kosovës të investojë në projekte kapitale”, thotë Abazi.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se tregu i letrave me vlerë do të ndihmojë shumë në transaksionet financiare, pasi që, siç shprehet, nëpërmes letrave me vlerë, zvogëlohet masa e parave në qarkullim.

Sipas tij, shumë më lehtë do të funksionojë edhe Banka Qendrore e Kosovës, edhe bankat komerciale. Këto të fundit tashmë kanë shprehur interesim për të investuar në letrat me vlerë.

“Në çdo aspekt, tregu i letrave me vlerë do të ndikojë pozitivisht, nëse realizohet ashtu si edhe në vendet e tjera. Nëse vjen deri te keqpërdormi, siç di të ndodhë te ne, atëherë nuk mund të presim ndonjë efekt”, thotë Limani, i cili jep më shumë hollësi rreth efekteve pozitive të emetimit të letrave me vlerë:

“Parimisht, tregu i letrave me vlerë do të nxisë deponime më të mëdha, për arsye se Banka Qendrore e Kosovës mund t’ua shesë letrat me vlerë edhe qytetarëve, edhe bizneseve, edhe institucioneve”.

“Në këtë mënyrë, në një masë të konsiderueshme, mund të absorbojë tepricën e parave dhe ato t’i fusë në zhvillimin ekonomik”, thotë Limani.

Përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës kanë deklaruar se të gjitha parapërgatitjet, qoftë teknike, që nënkuptojnë infrastrukturën teknologjike, qoftë legale, janë në përfundim e sipër.

Sipas tyre, pritet që nga janari i vitit 2012 të emetohen në letra me vlerë 74 milionë euro.

Kosova është i vetmi vend në rajon, të cilit i mungon tregu i letrave me vlerë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG