Ndërlidhjet

FP: Si të mos ndërhyhet në Siri?


Kampet e refugjatëve sirianë në Hataj, Turqi.
Kampet e refugjatëve sirianë në Hataj, Turqi.
“Foreign Policy”

Pas disa muajsh demonstrata publike dhe dhunë të regjimit brutal, Siria duket të rrëshqasë në një kryengritje të përgjithshme. Forcat anti-qeveritare kanë arritur të marrin pika kryesore të territorit dhe të nisin bastisjet në Damask. Mund të jetë vetëm çështje kohe kur rebilimi, ashtu si edhe në Libi, të shndërrohet në luftë civile.

Çdo eskalim i tillë do të përfshinte edhe krizën humanitare. Mijëra refugjatë sirianë tashmë kanë braktisur Sirinë – rreth 10 mijë sosh janë strehuar në Turqi. Nëse konflikti intensifikohet, numri mund të kërcejë në miliona.

Të përballur me krizën potenciale, liderët rajonalë dhe politikë-bërësit evropianë po shqyrtojnë propozimet për një lloj intervenimi humanitar. Ndërsa diplomatët kinezë dhe rusë kanë thënë se NATO do që të nisë një tjetër luftë, liderët perëndimorë kanë pak hapësirë për një fushatë të llojit të Libisë. Forcat ajrore të Evropës kanë nevojë për pushim, pas operacioneve të tejzgjatura në Libi, ndërsa ushtria siriane posedon armatim të konsiderueshëm.

Në vend të kësaj duhen shqyrtuar mënyrat për t’iu ofruar siguri dhe ndihmë civilëve brenda Sirisë dhe kufijve të saj. Në vend të fushatës ajrore, kjo mund të përfshijë një lloj të pranisë ndërkombëtare në terren.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, ka paralajmëruar këtë javë se “jo vetëm Turqia, por edhe komuniteti ndërkombëtar mund të krijojë një zonë mbrojtëse përgjatë kufirit sirian, nëse fluksi i refugjatëve arrin në dhjetëra apo qindra mijëra”. Ai nuk e ka qartësuar shumë këtë ide, por, megjithatë, ka nënvizuar se Turqia duhet të jetë gati për të gjithë skenarët.

Javën e kaluar, edhe homologu francez i Davutogllut, Allen Zhype, ka shfrytëzuar një intervsitë në radio, për të shqyrtuar krijimin e korridoreve humanitare për ushqime dhe furnizime mjekësore të sirianëve, të shoqëruar ndoshta edhe me vëzhgues ndërkombëtarë, që do të vepronin nën mandatin e OKB-së.

Sikur Davutogllu, Zhype ka këmbëngulur se është kundër çdo ndërhyrjeje ushtarke në Siri. Por, në afat të shkurtër, të dy ministrat duhet të jenë të vetëdijshëm se edhe shanset për çdo lloj intervenimi humanitar mbeten të ulëta. Damasku nuk do të miratojë praninë e jashtme në territorin e tij.

As Kina dhe as Rusia - të cilat, muajin e kaluar, i kanë vënë veto rezolutës së OKB-së për Sirinë - nuk ka gjasa t’i lejojnë Këshillit të Sigurimit të miratojë ndonjë lloj të vendosjes.

Edhe zyrtarët humanitarë të OKB-së po ashtu insistojnë se, tash për tash, nuk janë të nevojshme as zonat mbrojtëse e as korridoret humanitare. Megjithatë, nëse luftimet përhapen dhe numri i refugjatëve rritet, Turqisë, Ligës Arabe dhe fuqive evropiane do t’iu bëhet thirrje për t’i bërë të dobishme propozimet në fjalë. Do të bëhet thirrje për dërgimin e “paqeruajtësve”, njësoj sikurse në Bosnjë dhe Darfur.

Por, a do të funksionojë një operacion i tillë ushtarako-humanitar? Rreziku i dështimit është i lartë. Bisedimet aktuale për korridoret humanitare dhe zonat mbrojtëse kujtojnë reagimin fillestar ndaj shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990.

Trupat evropiane, nën komandën e OKB-së, ishin të mandatuara të sigurojnë “shpërndarjen pa pengesa të furnizimeve humanitare”, në mes të kaosit në Bosnjë e Hercegovinë. Por, shqetësimet për sigurinë e këtyre forcave “kanë penguar aftësitë e Perëndimit t’u bëjë presion serbëve të Bosnjës për t’i dhënë fund luftës, përderisa qytetet boshnjake, përfshirë dhe Sarajevën, kanë mbetur të bllokuara në një gjendje rrethimi”.

Gabimet në strategjinë e Kombeve të Bashkuara janë rënduar kur Këshilli i Sigurimit ka udhëzuar paqeruajtësit për të patrulluar në gjashtë “zona të sigurta” në Bosnjë, pa udhëzime të qarta për t’i mbrojtur ato. Në vitin 1995, forcat serbe i mësynë njërës nga këto zona – Srebrenicës – duke kapur ushtarët holandezë dhe duke masakruar tetë mijë burra dhe djem myslimanë.

Në Darfur, misioni i OKB-së, edhe pse përfshin një staf prej 25 mijë personash, cenueshmëria e tij ndaj sulmeve bandite dhe pengesat e forcave sudaneze, i kanë bërë disa të mendojnë se paqeruajtësit po mbajnë peng veten e tyre.

Po, a do të jetë më i mirë operacioni humanitar në Siri, nëse situata atje përkeqësohet deri në atë pikë saqë kundërshtarët kinezë dhe rusë të ndërhyrjes të tërhiqen? Disa faktorë janë pozitivë: Siria është së paku më e vogël dhe shumë më pak e izoluar se Darfuri. Por, është vështirë të parashihet se si forcat e jashtme, çfarëdo që të jetë mandati tyre, mund t’i shmangen shënjestrës së njërës apo tjetrës palë, të përfshirë në konflikt.

Pra, edhe nëse forcat e jashtme vendosen për të mbrojtur korridoret humanitare apo zonat e sigurta në Siri, me qëllimet më të mira, ato shpejt mund të tërhiqen zvarrë në luftë apo të detyrohen të largohen. Nevoja për ta mbajtur të sigurt personelin ndërkombëtar, mund të jetë edhe pengesë për ndërmjetësimin e marrëveshjes së paqes.

Nëse Siria zhytet në luftë, paqeruajtësve mund t’iu kërkohet ta stabilizojnë atë. Por, “korridoret humanitare” dhe “zonat e sigurta” nuk janë strategji për të parandaluar përshkallëzimin e luftës. (v.t.)
XS
SM
MD
LG