Ndërlidhjet

Guardian: Barrikadat bllokojnë Serbinë?


Pamje nga Mitrovica...
Pamje nga Mitrovica...
"The Guardian"

Tela gjemborë dhe automjete të djegura, kamionë të mbushur me drunj, gurë të hedhur nga bandat dhe paqeruajtës ndërkombëtarë në panik, duke u fshehur pas mburojave.

Postblloku ballkanik, shumë familjar nga luftërat jugosllave të viteve të 1990, është kthyer sërish.

Serbët, që nga vera, kanë bllokuar rrugët duke vendosur barrikada dhe duke bërë që të shpërthejnë postblloqet në një numër lokacionesh në veri të Kosovës në kufi me Serbinë.

Javën e kaluar disa paqeruajtës gjermanë dhe austriakë dhe protestues serbë u lënduan në përleshjet, ndërsa konfrontimi u përshkallëzua në një krizë, ndikimi i së cilës bëri jehonë shumë më larg sesa nga ky kënd i varfër e i pluhurosur i Evropës juglindore.

Kontesti ka të bëjë me atë se kush do të kontrollojë kufirin në mes të Serbisë dhe Kosovës, nëse mund të quhet fare kufi.

Serbia e sheh Kosovën si të sajën, duke refuzuar që ta njohë shtetin me shumicë shqiptare, që shpalli pavarësinë tri vjet më parë. Për kosovarët, ndërkaq, prania e policëve dhe doganierëve në kufirin me Serbinë është atribut thelbësor i shtetësisë.

Është një konflikt lokal, por ndikimi po rezonon shumë më larg Beogradit dhe Prishtinës dhe të hënën mund ta fundosë qëllimin kryesor të Serbisë: shansin që të vihet në rrugë për t’iu bashkuar Unionit Evropian.

“Ne duam që të shohim një përkushtim të fortë të Serbisë në dialogun me Kosovën”, ka thënë sekretari i jashtëm Uilliam Hejg, ndërsa Britania iu ka bashkuar Gjermanisë, Austrisë, dhe Holandës në kërcënimin e tyre me veto në lidhje me vendimin.

Është një javë thelbësore për Ballkanin. Ndërsa Beogradi do të mësojë nëse është kandidat për anëtarësim në BE, Malit të Zi që tashmë është kandidat, do t’i tregohet nëse mund të hapë negociatat, ndërsa Kroacia në fund të javës do të nënshkruajë traktatin për anëtarësim në union.

Do të duhen edhe 18 muaj të referendumeve dhe ratifikimeve, para se Kroacia të bëhet vend anëtar. Frikw e fortë ndjehet në Ballkan, se pas këtij përparimi BE-ja do t’i mbyllë dyert.

“Pas Kroacisë, është e qartë se askush nuk do të anëtarësohet shpejt. Do të ketë një pauzë”, ka thënë për Guardian, zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Gjeliq.

Një diplomat gjerman, i përfshirë në negociata, ka thënë se “do të jetë një sinjal fatal nëse i marrim kroatët dhe ua kthejmë shpinën serbëve”.

Kreu i një organizate ndërkombëtarë që punon në ish Jugosllavi ka thënë se perëndimi do të jetë në prag të një kalkulimi të gabuar serioz, po që se nuk e përfill Serbinë.

“Do të jetë një katastrofë strategjike. Një Serbi e hidhëruar, e frustruar mund të shkaktojë telashe kudo. Në Kosovë, në Bosnje, në Mal të Zi. Do ta keni një vrimë të zezë”.

Por, në një Bashkim Evropian të pllakosur nga kriza ekzistenciale e borxheve dhe debakleve financiare, ekziston pak motiv për zgjerimin e unionit me më shumë se 28 shtete, pas Kroacisë. Tetë vjet më parë, në Greqi, liderët evropianë u zotuan që të përfshinin të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë dhe Shqipërinë në BE.


Skeptikët e Ballkanit thonë se BE thjesht po shkon drejt fundit tw procesit të Selanikut, duke iu referuar politikës së lindur në vitin 2003.

Ata frikësohen se po që se perëndimi heq dorë nga Ballkani, të tjerët do të hyjnë në këtë rajon, që gjeografia, e ka bërë pre të fuqive të mëdha me shekuj.

Me Slloveninë dhe Kroacinë- shtete të vogla katolike të ish Jugosllavisë qw gjenden më në perëndim dhe të integruara në BE dhe në NATO- ata që mbesin në harresë janë – Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria- të ndara në sllavë ortodoksë dhe evropianë vendës myslimanë. Kjo situatë i bën thirrje një kontesti për ndikim në mes të Rusisë së Vlladimir Putinit, që ekspozohet si ruajtëse e ortodoksizmit, dhe Turqisë, fuqisë evropiane myslimane me një politikë të jashtme gjithnjë e më të sigurt.

Janë tri çështje të pazgjidhura në ish Jugosllavi- kontesti i pafund për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, dështimi i elitës boshnjake për të shkuar përtej ndarjeve etnike dhe për t’u pajtuar për një modus operandi (Bosnja është pa qeveri qendrore për më shumë se një vit) dhe kontesti mes Serbisë dhe Kosovës. Kosova paraqet çelësin e një përparimi në këtë javë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të premten se Serbia nuk i ka përmbushur pritjet për statusin e kandidatit. Britania dhe Austria po mbështesin këtë vijë të ashpër të Gjermanisë.


Por, vendimi i BE për Serbinë mbetet i balancuar, me Tadiqin që është nën presion për të bërë koncesione për Kosovën, ndërsa rrezikon përbuzjen në vendin e tij, po që se bën një gjë të tillë. Për herë të parë që nga ngritja e barrikadave në muajin korrik, Tadiqi, në javën e kaluar kërkoi largimin e tyre. Ai u injorua nga radikalët lokalë.

Në Bruksel tri ditë të negociatave mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës nga një zyrtar i BE-së u përshkruan si “të tmerrshme”, që rezultuan me një përparim të vogël të shtunën. Serbët u pajtuan që të lejojnë praninë e policëve dhe doganierëve shqiptarë të Kosovës në pikat kufitare.

Qeveria e Kosovës, e sheh këtë si një demonstrim të sovranitetit. Por, Seria refuzon ta njohë Kosovën, duke argumentuar se pikat kufitare nuk janë kufij ndërkombëtarë, por “pikëkalime administrative: dhe thotë se zyrtarët kosovarë do të veprojnë vetëm si “vëzhgues”.

Ndërsa, politikanët lokalë serbë në veri të Kosovës kanë refuzuar marrëveshjen. Me një konflikt të ngrirë të ngjashëm siç e kishin me vite atë të Qipros, liderët evropianë hezitojnë që të importojnë telashe tjera duke filluar procesin e pranimit të Serbisë.

“Ne dëshirojmë që në këtë periudhë të arrijmë maksimumin e ndikimit për të bërë përparim në relacionet me Kosovën”, ka thënë një diplomat evropian.

Evropa dhe Serbia janë angazhuar në një lojë të rrezikshme të politikës së lojës me zjarrin. E ardhmja e Serbisë është në rrezik nga rrugët e bllokuara dhe të pluhurosura të Kosovës veriore.(a.i.)
XS
SM
MD
LG