Ndërlidhjet

Barrikadat mbajnë situatën të tensionuar


Barrikadat vazhdojnë të mbeten problem dhe të pengojnë jetën normale në veri të vendit, u tha në takimin e Komitetit për vlerësimin e sigurisë që mbahet në kuadër të komunës së Mitrovicës, ka njoftuar zyra për informim e këtij institucioni.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se situata e sigurisë vazhdon të jetë e tensionuar, meqë rrugët mbeten të bllokuara nga barrikadat. “Kjo situatë ka rënduar së tepërmi gjendjen e qytetarëve, sidomos të atyre joserbë, të cilët kanë probleme të mëdha për lëvizje dhe për furnizim me gjëra elementare”, u shpreh ai.

Ai ka dënuar sulmet kundër trupave të KFOR-it duke thënë se “grupet ekstremiste serbe nuk janë duke kursyer askë për ta penguar normalizimin e gjendjes”.

Haziri tha se pret që situata të relaksohet pas arritjes së marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Situatën e ka përshkruar të tensionuar edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala. “Në lagjet me popullatë të përzier gjatë orëve të natës ka shpesh të shtëna me armë zjarri që shqetësojnë popullatën”, ka thënë Bala.
XS
SM
MD
LG