Ndërlidhjet

LDK dhe AAK refuzojnë mocionin


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për thirrjen e mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit Hashim Thaçi dhe qeverisë së tij është në prag të dështimit ende pa filluar.

Dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se nuk e shohin si shume serioze nismën e Vetëvendosjes.

Këto dy parti politike thonë se janë kundër shkuarjes në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme të cilat, sipas tyre, mund të prodhojnë edhe një herë një rezultat të manipuluar zgjedhor dhe rrjedhimisht edhe qeveri të dalë nga zgjedhje jo demokratike.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se qeveria aktuale ka dalë si rezultat i manipulimeve në zgjedhje, por organizimi i zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, sipas tij, do të sillte një reprizë të asaj që ndodhi me zgjedhjet e fundit.

Njëherësh, Beqiri i tërheq vërejtjen Vetëvendosjes së opozita edhe po të donte nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend për t’i marrë mandatin kryeministrit dhe qeverisë aktuale.

Ne si LDK, jo që jemi të kënaqur, përkundrazi nuk jemi fare të kënaqur me punën e kësaj qeverie, por po ashtu nuk dëshirojmë që të krijohet mundësia që të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të ketë përsëri vjedhje të jashtëzakonshme të votave. Ne dëshirojmë që kjo qeveri ashtu siç është duke punuar jo mirë të dënohet kur të vijë koha në zgjedhje përmes votave të qytetarëve, në një proces, nëse mund ta quaj, të rregullt zgjedhor”, thotë Beqiri.

Përgjigje negative rreth kërkesës për mocion, Vetëvendosje ka marrë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani thotë se e mbështet largimin e kësaj qeverie, por jo me ndonjë mocion që e qon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme..

Ne nuk guxojmë të futemi si Kosovë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak se nuk është ndryshuar ende Ligji Zgjedhor. Ne konsiderojmë që për Kosovën është jashtëzakonisht e nevojshme largimi i kësaj qeverie dhe krijimi i një zgjedhje kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme që do të mbaheshin sipas një sistemi të ri zgjedhor”, thotë Ramadani.

Ndonëse Kuvendi i Kosovës tashmë ka në procedurë një pako reformash zgjedhore të cilat mendohet të miratohen dhe hyjnë në fuqi para procesit të ardhshëm të rregullt zgjedhor, Vetëvendosje favorizon që të ketë zgjedhje sa më të shpejta.

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri thotë se partitë politike do të përballem me manipulim të zgjedhjeve qoftë në një proces të jashtëzakonshëm apo të rregullt zgjedhor.

Të gjitha subjektet politike, e veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje do të bëjmë edhe më shumë se që kemi bërë herën e kaluar që të garantojmë që vjedhja e votave të jetë më e vogël.

Të gjitha subjektet politike, e veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje do të bëjmë edhe më shumë se që kemi bërë herën e kaluar që të garantojmë që vjedhja e votave të jetë më e vogël. Në asnjë proces zgjedhor nuk mund të garantohet që nuk do të ketë vjedhje të votave edhe po që se i kemi zgjedhjet pas dy vjetësh, kush garanton që s’ka me pas vjedhje të votave. Pra, nuk mendoj që kjo mund të jetë arsyeja që të kërkojmë t’i shtyjmë zgjedhjet”, thekson Ymeri.

Kërkesa e Vetëvendosjes për thirrjen e një seance ku me mocion do t’i merrej besimi kryeministrit Thaçi pasoi marrëveshjen e fundit të qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë për menaxhim të integruar të kufirit, përkatësisht pikëkalimeve kufitare.

Kjo marrëveshje ishte cilësuar e dëmshme dhe ishte një prej shumë arsyeve që Vetëvendosje synonte të nxirrte para kuvendit për shkarkimin e kryeministrit Thaçi.

Sidoqoftë, edhe po të ishte opozita e bashkuar, ajo nuk e ka shumicën në Kuvend për një mocion të tillë, e në rastin konkret, kur dy parti opozitare e refuzojnë këtë mocion, nisma e Vetëvendosjes faktikisht duket një mision i pamundur që nga fillimi.

XS
SM
MD
LG