Ndërlidhjet

Gjermania dhe Franca kërkojnë marrëveshje të re të BE-së


Liderët e Gjermanisë dhe të Francës, sot kanë kërkuar një marrëveshje të re të Bashkimit Evropian, me të cilën do të parandalohej përsëritja e krizës aktuale të borxheve në eurozonë.

Pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidenti francez, Nikollas Sarkozi, tha sot në Paris, se marrëveshja e re do të përfshinte sanksione automatike për vendet që i shkelin rregullat e mbajtjes së deficitit nën 3%.

“Ne dëshirojmë sanksione automatike në rast të mos respektimit të rregullës, që imponon deficite më pak se 3%”, tha Sarkozi dhe shtoi se Franca dhe Gjermania do të dëshironin një marrëveshje të arritur nga të gjithë 27 vendet anëtare të BE-së.

Megjithatë, ai tha se, poashtu, do të pranohej edhe marrëveshja e 17 vendeve, që e përdorin euron, ndërsa anëtarët e tjerë, eventualisht, do të nënshkruheshin në baza vullnetare.

Ai ka njoftuar se ky propozim francezo-gjerman, do t’i paraqitet presidentit të BE-së, Herman Van Rompoj, të mërkurën, një ditë para se të filloj samiti i Bashkimit Evropian në Bruksel.
XS
SM
MD
LG