Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshja i ndihmon Serbisë

  • RFE /RL

Flamujt e vendeve anëtare të BE-së

Flamujt e vendeve anëtare të BE-së

Në orët e vona të së hënës, ministrat e Bashkimit Evropian në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme kanë përfunduar diskutimet e gjata dhe draftimin e konkluzave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe paketën e zgjerimit të BE-së.

Duke folur para gazetarëve, komisionari i zgjerimit të BE-së, Shtefan Fyle, tha se është zhvilluar një diskutim i mirë edhe për Kosovën. Sipas tij, shumë ministra kanë thënë se duhet gjetur zgjidhje për përfshirjen e Kosovës në programet e Bashkimit Evropian, pa paragjykuar qëndrimin e shteteve anëtare rreth statusit të Kosovës.

Diskutimet më të gjata, megjithatë, janë zhvilluar për Serbinë dhe Malin e Zi. Komisioni Evropian ka propozuar që në muajin tetor që të merret vendimi për nisjen e negociatave me Malin e Zi, ndërsa Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Ministri evropian i Polonisë tha se Serbia ka bërë shumë përparime, sidomos në dialogun me Kosovën, dhe se “marrëveshja për menaxhimin e pikëkalimeve është një shenjë e mirë që Serbia të marrë statusin e kandidatit”.

Komisionari i zgjerimit, Shtefan Fyle, tha se gjatë diskutimit për Serbinë është vërejtur një ton pozitiv, edhe rreth situatës aktuale në Kosovë, ku, sipas tij, serbët kanë nisur të heqin disa barrikada.

Sa i përket Kosovës në konkluza, ministrat kanë përshëndetur qëllimin e Komisionit Evropian që të nisë dialogun e vizave me Kosovën kur të përmbushen kushtet e nevojshme.

Po ashtu është thënë se nga Kosova dhe nga Serbia pritet që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog, ndërkohë që pritjet janë edhe për përparim të mëtejmë në ditët dhe javën në vijim.

Sa i përket vendimit përfundimtar për dhënien ose jo të statusit të kandidatit të Serbisë, ministrat e kanë lënë këtë çështje në duart e shefave të shteteve apo të qeverive, të cilët takohen të premten në Bruksel.

Burimet diplomatike në BE thonë se Gjermania dhe Austria kanë ende rezerva ndaj dhënies së statusit të kandidatit Serbisë, mirëpo Fyla tha se, në linjë të përparimit të arritur në dialog dhe të asaj që po ndodh në Kosovë, atmosfera është përmirësuar dukshëm sa i përket Serbisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG