Ndërlidhjet

Serbia ‘de jure’ njohu Kosovën


Kryeministri Hashim Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi

Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës vazhdojnë ta prezantojnë marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit, përkatësisht të pikëkalimeve kufitare me Serbinë, si njohje të Kosovës nga ana e shtetit serb.

Gjatë prezantimit të kësaj marrëveshjeje para kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe kryeministri Hashim Thaçi folën me admirim për të, duke e prezantuar atë si një fitore të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Njëherësh, kreu i Qeverisë, Thaçi, tha se kjo marrëveshje paraqet një hap shumë të rëndësishëm edhe për vënien e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

“Menaxhimi i integruar i kufijve, si model evropian, garanton kalim të shpejtë dhe të lehtë të njerëzve dhe mallrave. Por, në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje është edhe një njohje - në një kuptim apo kuptim tjetër - ‘de jure’ e Serbisë për Republikën e Kosovës”, tha Thaçi.

Sipas tij, në të gjashtë pikëkalimet kufitare do të zbatohet legjislacioni i Kosovës nga ana e të gjitha agjencive të Kosovës, ndërsa EULEX-i, shtoi Thaçi, do të jetë aty për monitorim me një rol mbështetës për zbatimin e standardeve evropiane për menaxhimin e integruar të kufirit.

“Ajo çka kërkohet tani edhe nga dëshmitarët dhe garantuesit e marrëveshjes ndërshtetërore, është përcjellja nga afër e fillimit të implementimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, në mënyrë që Serbia mos t’i bishtnojë kësaj marrëveshjeje, sikur herëve të tjera. Diçka e tillë do të kërkohet edhe ditëve të ardhshme në Bruksel, por edhe në SHBA”, tha kryeministri Thaçi.

Gjatë gjithë procesit të bisedimeve, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në disa raste, pat qortuar Qeverinë për formën e negociatave dhe marrëveshjet e arritura.

Kësaj radhe, ai tha se marrëveshja e fundit për menaxhim të kufirit nuk lë hapësirë për triumf të asnjërës palë, por as nuk paraqet ndonjë lëshim të Qeverisë së Kosovës karshi asaj të Serbisë.

Krasniqi, megjithatë, tërhoqi vërejtjen se duhet pasur kujdes gjatë nënshkrimit të protokollit teknik, i cili do t’i sqarojë detajet e marrëveshjes.

“Këto konkluzione janë kompromis për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Qeveria nuk ka lëshuar pe me këtë marrëveshje. Konkluzionet janë një kompromis për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës e Serbisë”, u shpreh Krasniqi.

Marrëveshja për menaxhim të integruar të kufirit është kundërshtuar ashpër nga opozita në Prishtinë, e cila, për dallim nga Qeveria, ka vlerësuar se ajo nuk paraqet njohjen e Kosovës dhe të kufijve të saj nga Serbia, por kthim të Kosovës prapa, në kohën e para shpalljes së pavarësisë.

Kjo marrëveshje, nga opozita është vlerësuar si favor që Kosova i ka bërë Serbisë për përmbushjen e kritereve të nevojshme, në mënyrë që ky vend të fitojë statusin e kandidatit për integrim në Bashkimin Evropian.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG