Ndërlidhjet

logo-print

Skenarët për dialogun pas 9 dhjetorit


Nga bisedimet Kosovë - Serbi, në Bruksel

Nga bisedimet Kosovë - Serbi, në Bruksel


Bashkimi Evropian duhet të ushtrojë një ndikim sa më të madh; Beogradi zyrtar duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet për temat mbi të cilat është arritur pajtim në raundet paraprake, ndërsa Qeveria e Kosovës duhet të prezantojë planin për zbatimin e planit të Ahtisaarit në veri të vendit.

Këto janë disa nga rekomandimet e përmendura në raportin “Dialogu Beograd-Prishtinë: Nevojitet transformimi i interesi vetanak”.

Mbi këtë raport të projektit për marrëdhënie etnike në Kosovë dhe qendrës për politika të reja në Beograd, diskutuan të martën përfaqësues të institucioneve kosovare, ata të shoqërisë civile, dhe analistët politikë.

Zhvillimi i një “dialogu teknik” nga të dyja palët merrej si mundësi për të arritur përparim në integrimin në BE.

Edita Tahiri

Edita Tahiri

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherazi shefe e delegacionit kosovar në dialogun me palën serbe, Edita Tahiri, shprehu bindjen se më 9 dhjetor, kur dhe takohet Këshilli i Bashkimit Evropian, Kosova do të marrë udhërrëfyesin zyrtar për liberalizimin e vizave dhe se do t’i jepet drita jeshile për vënien e marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Evropian.

Kjo ofertë, pra e hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të para tregtare dhe programet e tjera mbështetëse për Kosovën, mbështetja që Kosova të bëhet anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mendoj se janë rekomandime të rëndësishme që i ka bërë Këshilli i Ministrave”.

Ne shpresojmë se edhe Këshilli Evropian do t’ia konfirmojë Kosovës këtë pako të rëndësishme të përparimit drejt Bashkimit Evropian”, vlerësoi ajo.

Por, fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave, sipas këshilltarit politik të presidentes së Kosovës, Ilir Deda, nuk do të ishte lajm i ri, por një proces që do të duhej të kishte nisur qysh kohë më parë.

Deda u shpreh pesimist për mundësinë që Kosova të përfitojë diçka më shumë pas takimit të së premtes të shefave të shteteve evropiane.

Ilir Deda

Ilir Deda

Informatat nga Brukseli janë se ndoshta nuk do të hapet as marrëveshja kontraktuale e as marrëveshja për marrëdhënie tregtare. Kjo tregon josinqeritetin dhe se pala e tretë, që është BE-ja, nuk po e zbaton pjesën e vet këtu”, u shpreh Deda.

Për pritjet e Beogradit foli drejtori i qendrës për politika të reja në Beograd, Vlladimir Todoriq.

Ai theksoi se janë disa skenarë të ndryshëm që mund ta pasojnë takimin e 9 dhjetorit.

Todoriq tha se nëse Serbia merr statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ai status do të jetë i kushtëzuar apo mund të shërbejë si mundësi për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim.

Për ta mbajtur Beogradin të angazhuar në procesin e dialogut me Prishtinën, Brukseli, sipas tij, do të duhet ta paraqesë një ofertë të re për palën serbe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm në këtë shtet.

Më e keqja që mund të pritet, theksoi Todoriq, është se Serbia nuk do të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim, gjë që do të zvogëlonte interesin e palës serbe për vazhdimin e dialogut.

Pra, parimisht bëhet fjalë për mënyrën e vazhdimit të dialogut dhe tejkalimit të zbrazëtirës deri atëherë”, tha Todoriq.

Vazhdimi i dialogut Prishtinë-Beograd edhe pas së premtes u cilësua si i rëndësishëm edhe nga kryeredaktori i së përditshmes kosovare “Koha Ditore”, Agron Bajrami.

Ai e cilësoi të disbalancuar politikën e deritashme evropiane në raport me Kosovën dhe Serbinë, ndërsa tërhoqi vërejtjen për domosdoshmërinë e një vëmendjeje të shtuar për veriun Kosovës.

Dialogu, sipas Bajramit, duhet të shihet si mundësi për zgjidhjen e problemeve ndërmjet palëve, e jo vetëm për avancimin drejt BE-së.

Unë mendoj se përderisa është shumë me rëndësi edhe për Serbinë edhe për Kosovën të jenë në rrugën e integrimit evropian, nuk mendoj se dialogu duhet të jetë mjeti i cili do ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë të drejtpërdrejt dhe përmes një negociate ndërmjet të dyja palëve”, theksoi Bajrami.

Dialogu Prishtinë-Beograd nisi në mars të këtij viti nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pala kosovare dhe ajo serbe përfunduan, ditë më parë, raundin e tetë të këtij procesi me dy marrëveshje të reja.

Mirëpo, pikërisht zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani e edhe situata aktuale në veri të Mitrovicës janë bërë qendra të problemeve ekzistuese.
XS
SM
MD
LG