Ndërlidhjet

Ambasadë virtuale për Iranin

  • RFE /RL

SHBA: Ueb-faqja e "ambasadës virtuale" për Iranin.

SHBA: Ueb-faqja e "ambasadës virtuale" për Iranin.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur ambasadë në Iran që nga viti 1979. Por, nga e marta, ato kanë “ambasadën virtuale” për Iranin në formën e një ueb-faqeje, ndërsa qëllimi i saj thuhet të jetë “rritja e dialogut në mes të popullit amerikan dhe atij iranian”.

Mesazhi i Sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, i titruar dhe në gjuhën perse, shpreh mirëseradhjen për përdoruesit. Klinton shfaq shpresën se faqja e re do t’iu ofrojë mundësi qytetarëve të të dyja vendeve “të komunikojnë hapur dhe pa frikë”.

“Pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk kanë marrëdhënie diplomatike, ne kemi humbur disa mundësi të rëndësishme për dialog me ju – qytetarë të Iranit. Por sot, ne mund të përdorim teknologjitë e reja për të mbushur atë hendek dhe për të nxitur mirëkuptim më të madh ndërmjet dy vendeve tona”, thotë Klinton.

Në tekstin përcjellës, Departamenti i Shtetit shpjegon:

Kjo faqe interneti nuk është mision formal diplomatik dhe nuk përfaqëson apo paraqet ambasadë të vërtetë, të akredituar në Qeverinë iraniane. Por, në mungesë të kontaktit të drejtpërdrejtë, ajo mund të funksionojë si urë ndërmjet popullit amerikan dhe atij iranian”.

Kontaktet direkte ndërmjet amerikanëve dhe iranianëve mungojnë që nga 1979-ta – vit ky kur ka ndodhur Revolucioni Islamik dhe kur janë marrë peng 52 amerikanë në Ambasadën e SHBA-së në Teheran. Që atëherë, ambasada – e quajtur “fole spiunësh” nga revolucionarët iranianë – është mbyllur, ndërsa Uashingtoni përdor Qeverinë e Zvicrës për të përfaqësuar interesat e tij diplomatike në Iran.


Lehtësim për vizat amerikane

“Ambasada virtuale” është menduar të jetë më shumë se një platformë e dyanshme e komunikimit ndërmjet popujve të të dyja vendeve. Ajo po ashtu siguron informacione – në gjuhën perse dhe angleze – në lidhje me vizat amerikane dhe studimet në SHBA, si dhe lidhje me raportet ndërkombëtare për situatën e të drejtave të njeriut në Iran dhe artikuj rreth shoqërisë civile.

Ueb-faqja po ashtu përpiqet t’i luftojë “shtrembërimet” për Amerikën dhe qëndrimin e Qeverisë amerikane ndaj Iranit.

Në konferencën për media në Departamentin e Shtetit, nënsekretarja për çështje politike, Uendi Sherman, tha se administrata e Obamës do që iranianët të kuptojnë se Shtetet e Bashkuara respektojnë iranianët dhe kulturën e tyre.

“Ne duam të komunikojmë direkt me popullin e Iranit. Ne duam që të gjithë iranianët, sidomos të rinjtë brenda Iranit, të shohin se Shtetet e Bashkuara kanë respekt të thellë për popullin iranian dhe civilizimin e tij”, tha Sherman.

Por, Mehdi Arabashahi, një aktivist i njohur iranian, i cili së fundmi është zhvendosur në SHBA për studime, thotë se “ambasada virtuale” duket të jetë më shumë një lëvizje simbolike dhe “nuk do të bëjë shumë për të lehtësuar procesin e komplikuar dhe të shtrenjtë për të siguruar një vizë amerikane”.

“Shtetet e Bashkuara kanë bërë përpjekje të krijojnë një urë ndërmjet Qeverisë amerikane dhe popullit iranian, por ato nuk do t’i shmangin vështirësitë për iranianët që duan të marrin një vizë amerikane. Ky është njëri nga problemet kryesore për studentët iranianë dhe njerëzit që duan të udhëtojnë në SHBA”, thotë Arabashahi.

Tani për tani, ambasada virtuale e Shteteve të Bashkuara nuk duket të jetë bllokuar nga autoritetet iraniane, por, megjithatë, regjimi në Teheran është njëri nga censuruesit më të mëdhenj të internetit. Për këtë arsye, iranianët që duan të kenë qasje në faqen e re, së shpejti mund të përballen edhe me filtrime të saj. (v.t.)
XS
SM
MD
LG