Ndërlidhjet

Stabiliteti në Ballkan nuk është i garantuar


Ilustrim

Ilustrim

“Wall Street Journal”

Derisa shtetasit në mbarë Bashkimin Evropian janë ose të papunë ose të shqetësuar për sigurinë e vendeve të tyre të punës, kursimeve dhe pensioneve, liderët e BE-së, këtë të premte, mund të kenë pak oreks për t’u marrë edhe me çështje të jashtme.

Megjithatë, një çështje do të jetë në agjendë, pas diskutimeve pa konkluzione në mesin e ministrave të BE-së, ditën e hënë.

Marrëveshja, sipas së cilës Kroacia do të bëhet vendi i 28-të anëtar i BE-së, në korrik të vitit 2013, do të nënshkruhet, ndërsa rekomandimet e Komisionit Evropian për lëvizjet kah anëtarësimi për Serbinë dhe Malin e Zi, janë të hapura për diskutime.

Zgjerimi mund të jetë politika më efektive e jashtme e BE-së, duke pasur parasysh se tashmë është bërë shumë për bashkimin dhe lirinë e kontinentit, por nuk është saktësisht karakteristikë mujore e Evropës së kapluar nga kriza.

Siguria dhe stabiliteti në Ballkan ende nuk mund të merren si të garantuara. Për disa muaj, serbët e Kosovës i kanë barrikaduar rrugët, duke mos i përfillur forcat e NATO-s, pasi Prishtina qartazi e ka pohuar të drejtën e saj për kontroll të kufirit me Serbinë.

Disa barrikada së paku kanë filluar të largohen nën presionin e Bashkimit Evropian, por situata mbetet jostabile.

Veriu i Kosovës po bëhet i paqeverisur, meqë serbët atje refuzojnë autoritetin si të Prishtinës, ashtu edhe të Beogradit.

Bosnjë e Hercegovina mbetet e paralizuar për shkak të konfliktit etnik. Ka pasur konflikte civile në Shqipëri, ndërsa perspektiva e Maqedonisë për në BE dhe NATO është bllokuar nga kontesti për emër me Greqinë.

Kjo përzierje eksplozive është mbajtur nën kontroll kryesisht, pasi i gjithë rajoni ka ambicie për integrim në BE.

Shumë popuj në Ballkan ende e shohin anëtarësimin në BE si rrugë të vendeve të tyre për në shpëtim.

Prandaj, shtrohet pyetja se a mund të jetë Ballkani viktima e ardhshme e krizës së euros? Nuk duhet të jetë.

Nënshkrimi i marrëveshjes për pranim me Kroacinë do të dërgojë mesazh te i gjithë rajoni, se përkundër krizës së euros, Bashkimi Evropian i mban premtimet e veta ndaj vendeve që i kanë bërë reformat e domosdoshme.

Ky mesazh duhet të mbahet edhe për Serbinë dhe Malin e Zi, që janë të parat në rend.

Por, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, po heziton të pajtohet për bisedime për anëtarësim me Malin e Zi, pasi zgjerimi i BE-së në Francë mbetet çështje e ndjeshme, ndërsa zgjedhjet presidenciale në këtë vend mbahen pas pesë muajve.

Zoti Sarkozi nuk dëshiron të japë dritë jeshile për Malin e Zi të vogël, për aq kohë sa rruga për në BE e Serbisë - miku kryesor francez në Ballkan - mbetet e paqartë.

Serbia aktualisht meriton të lëvizë drejt BE-së, pasi ka bërë progres të theksuar në plotësimin e standardeve të BE-së për demokraci dhe paqe.

Nën presionin e BE-së, Serbia përfundimisht i ka zënë kriminelët e luftës, Ratko Mlladiq dhe Goran Haxhiq, dhe i ka dërguar në Tribunalin e Hagës për gjykim.

Po ashtu, Serbia ka marrë pjesë në tetë raundet e bisedimeve me Kosovën, të sponsorizuara nga BE-ja, duke arritur marrëveshje për një numër të çështjeve praktike, të ndërlidhura me kontrollin e kufirit, pasurinë, lirinë e lëvizjes dhe procedurat doganore.

Por, përse BE-ja heziton të ndërmarrë hap simbolik duke e bërë Serbinë kandidat zyrtar?

Për të qenë të saktë, marrëveshjet ekzistuese me Kosovën duhet të implementohen. Ka edhe çështje të tjera të rëndësishme, si: gatishmëria e serbëve dhe e kosovarëve të ulen së bashku në organizatat rajonale, që punojnë në fushën e energjisë, transportit dhe tregtisë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dëshiron garantime se Serbia është serioze për pajtimin, nëse statusi i kandidatit i jepet të premten.

Zonja Merkel ka të drejtë për ta përdorur levën e BE-së, për ta obliguar Serbinë që të kryejë punë. Kjo është ajo që forca e butë e BE-së mund të bëjë.

Duhet të përfundojë dhuna në Kosovën Veriore dhe barrikadat e mbetura duhet të largohen. Kosova, po ashtu, duhet të bëjë më tepër për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për ta luftuar korrupsionin.

Por, ekziston edhe rreziku se presioni më i madh i jashtëm kundër Beogradit mund t’i ndalë ose t’i kthejë prapa të arriturat aktuale në reforma. BE-ja mund të pendohet për këtë, nëse ish-lideri nacionalist, Tomisllav Nikoliq, duke bërë fushatë në dështimin e qeverisë për të arritur kthesë në rrugën për BE, i mund mbështetësit e presidentit reformist, Boris Tadiq, në zgjedhjet parlamentare në majin e ardhshëm. (f.b.)

***Titulli është i redaksisë.
XS
SM
MD
LG