Ndërlidhjet

Miratohet reciprociteti ndaj Serbisë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.

Mocioni është miratuar pas një debati rreth çështjes së masave të reciprocitetit me Serbinë që ishin vendosur më 20 korrik të këtij vitit, si kundërpërgjigje ndaj bllokadës që Serbia u kishte vendosur mallrave nga Kosova.

Në emër të Vetëvendosjes, deputeti Visar Ymeri, lexoi tri pikat e mocionit, të cilat më pas u miratuan me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë.

Pika një: qeveria t’í marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. Pika dy: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxisë dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia. Nën tre: qeveria t’í forcojë të gjitha mekanizmat shtetëror për të siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë”, tha Ymeri, duke lexuar pikat e mocionit.

Mocioni u miratua me 42 vota për, 33 ishin kundër, ndërkaq 2 deputetë abstenuan.

Ishte ky një prej rasteve të rralla kur opozita ia del që të miratojë një nismë, duke siguruar shumicën në Kuvend.

Gjatë debatit, Lëvizja Vetëvendosje kishte thirrur në interpelancë ministren e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila.

Kjo e fundit tha se ka shumë keqkuptime dhe keqinterpretime në lidhje me tregtinë e lirë dhe masat e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kishin funksionuar për 40 ditë.

Megjithatë, këto masa ishin hequr si rezultat i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë për njohjen e vulave doganore.

Mimoza Kusari Lila
Mimoza Kusari Lila
Izolimi nuk është e ardhmja e Kosovës, por hapja e saj në kuadër të tregtisë së lire, tha me këtë rast Kusari Lila.

Qasja e mbylljes së Kosovës ndaj Serbisë apo cilitdo vend tjetër në rajon do të rrezikojë progresin e arritur dhe të ardhmen evropiane të Kosovës. Ndërsa sa i përket rritjes ekonomike kosovare, duhet theksuar se ekonomitë në botë bëjnë çmos t’i rrisin tregjet e tyre. Tkurrja e tregut me bllokadë tregtare do të ishte ekuivalent i një vetëvrasjeje ekonomike”, ka thënë Kusari Lila.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i ka dhënë mbështetje të plotë qeverisë.

Ai tha se masat e reciprocitetit i paraprinë aksionit të Qeverisë së Kosovës më 25 korrik në pikat doganore në veri ku lulëzonte kontrabanda.

Që nga ajo kohë e deri më sot, sipas tij, po vendoset rendi dhe rregulli edhe në veri, e sidomos në pikat doganore me Serbinë.

U zbatua reciprociteti dhe u ndal kontrabanda dhe krimi i organizuar që po lulëzonin në ato pjesë të Kosovës për 12 vjet me radhë.
U zbatua reciprociteti dhe u ndal kontrabanda dhe krimi i organizuar që po lulëzonin në ato pjesë të Kosovës për 12 vjet me radhë. PDK këtë e vlerëson si pikën kthesë të institucioneve tona për të rikthyer kredibilitetin e humbur që nga koha e pasluftës”, është shprehur Grabovci.

Heqja e masave të reciprocitetit, sipas LDK-së, ka dhënë efekte negative për ekonominë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se në kohën e masave të reciprocitetit kishte një lulëzim të prodhimeve vendore, përderisa me heqjen e masave, sipas tij, u godit pikërisht ekonomia vendore.

Ai shtroi me habi një fakt tjetër, atë të zhvillimit të importit dhe eksportit me Serbinë, edhe gjatë kohës së masave të reciprocitetit që kishte vendosur Qeveria e Kosovës.

Ismet Beqiri
Ismet Beqiri
Është e çuditshme se si përkundër bllokadës në muajin gusht kemi pasur diku 4 milionë euro import nga Serbia. Shtrohet pyetja kush ka importuar, çka ka importuar, pasi që është import zyrtar i evidentuar në Entin e Statistikës. Për çudi gjatë muajit gusht kemi pasur më shumë edhe eksporte sesa gjatë muajve pa bllokadë. A kemi përgjigje për këtë”, shtroi çështjen deputeti Beqiri.

Po ashtu, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerësoi se heqja e masave të reciprocitetit ishte një gabim i madh.


Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani tha se përfituesja e heqjes së këtyre masave ishte qeveria e cila sipas tij, është importuesja më e madhe nga Serbia.

Importuesja më e madhe me Serbinë është Qeveria e Kosovës, gjatë këtyre 3-4 vjetëve të fundit për importin e rrymës. Prej 2,100 importuesve që janë në Kosovë me Serbinë, prinë qeveria, e pastaj vjen KEK-u, që importon pajisje teknike nga Serbia”, ka thënë Ramadani.

Ndryshe, vendosja e masave të reciprocitetit më 20 korrik, ishte pasuar me vendimin e qeverisë për marrjen e pikave kufitare në veri të vendit, pesë ditë më vonë.

Këto masa pas 40 ditëve u tërhoqën pasi që Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh në Bruksel për tregtinë e lirë dhe njohjen reciproke të vulave doganore.
XS
SM
MD
LG