Ndërlidhjet

Marrëveshja e arritur në fundjavë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në lidhje me menaxhimin e integruar të kufirit, ka nxitur polemika në mesin e komunitetit serb. Derisa ata në veri kanë dalë hapur kundër saj, në jug të lumit Ibër, ka politikanë që e mirëpresin, por edhe të tillë që janë skeptikë.

Kreu i Këshillit Nacional Serb për Kosovën, Dragan Veliq, që jeton në Graçanicë, thotë se marrëveshja për kufirin, sikurse edhe të tjerat të arritura në Bruksel, nuk do t’i sjellin dobi, por vetëm dëm serbëve.
Nuk shoh asnjë arsye që ajo marrëveshje mund të pranohet dhe nëse do ta përmirësojë gjendjen e serbëve në Kosovë.


Po marrëveshja për definimin e kufijve shtetërorë, është në kundërshtim me rezolutën 12 44 nga ajo sa kemi mundur të shohim. Pastaj, marrëveshja për lirinë e lëvizjes nuk zgjidh asnjë problem për lirinë e lëvizjes së serbëve, ata do të detyrohen që t’i marrin dokumentet e të ashtuquajturës Republikë e Kosovës. Nuk shoh asnjë arsye që ajo marrëveshje mund të pranohet dhe nëse do ta përmirësojë gjendjen e serbëve në Kosovë”, thotë Veliq.

Serbët në jug të lumit Ibër ka disa vjet që i kanë mbështetur institucionet e Kosovës dhe kjo është parë me pranimin e Planit Ahtisari për krijimin e komunave të reja serbe. Por, Veliq, është një nga skeptikët, që kundërshton marrëveshjet dhe arsyeton barrikadat.

Fatkeqësisht, as pas 12 vjetëve nuk ekziston mbrojtje institucionale për serbët dhe hap pas hapi rrumbullakësohet pavarësia e Kosovës në dëm të serbëve. Barrikadat nuk janë qëllimi, por që të shfrytëzohen si mjet për të tërhequr vëmendjen për zgjidhjen e çështjes serbe në Kosovë, pasi që deri tash nuk është zgjidhur asgjë”, shton Veliq.

Por, politikani tjetër nga Graçanica, Rangjel Nojkiq, i cili nuk është në institucionet e Kosovës, por mbështet dialogun, thotë se skeptikët e marrëveshjeve bëjnë pjesë në grupimin që përfiton në situatë të keqe.

“Njerëzit që mendojnë se gjërat zgjidhen përmes rrugëve të dhunshme, janë në të vërtetë forcat që i kanë shpikur këto barrikada dhe postblloqe, dhe që edhe më tej vazhdojnë të bëjnë thirrje që të vazhdojë ‘revolucioni i trungjeve’”, shprehet Nojkiq.

Ai thotë se çdo marrëveshje i sjell mirë jo vetëm serbëve në hapësirat e Kosovës, sepse nga kjo marrëveshje nuk do të përfitojnë vetëm serbët, por të gjithë në Kosovë, duke marrë parasysh se edhe shqiptarët duan lëvizje të lirë në Serbi, qoftë për arsye shëndetësore, sociale apo ekonomike.
Kjo marrëveshje ua ka mundësuar të gjithëve që të relaksojnë komunikimin dhe mendoj se është gjë e mirë.



“Kjo marrëveshje ua ka mundësuar të gjithëve që të relaksojnë komunikimin dhe mendoj se është gjë e mirë. I mbetet Beogradit dhe Prishtinës të gjejë zgjidhje teknike që mundëson zbatimin e marrëveshjes dhe dhënien e rezultateve dhe kur kjo të ndodhë, do të jetë e lehtë të shihet se çka do të thotë kjo marrëveshje dhe të pranohet se marrëveshja është zgjidhja. Ndërsa, ata që mendojnë në mënyrë tjetër, ata krijojnë probleme dhe bëjnë thirrje për probleme e jo për zgjidhje”, thekson Nojkiq.

Edhe serbët në veri, thotë Nojkiq, e kanë pranuar marrëveshjen, pa marrë parasysh deklaratat e liderëve politikë. Sipas tij, askush nuk është i gatshëm që nën këto kushte të liga, që për shkak të obligimit të punës, të ngrihet nga të ftohtit dhe të dëmtojë shëndetin në barrikada.
XS
SM
MD
LG