Ndërlidhjet

Në prag të “pranverës ruse”?!

  • RFE /RL


(Protestat anti-qeveritare në Moskë, 6 dhjetor 2011)


A duket në horizont “pranvera ruse”? Kjo është pyetja që parashtrohet në qarqet diplomatike evropiane dhe amerikane, pas protestave masive të opozitës kundër manipulimit të rezultateve zgjedhore në Rusi. Mbi 560 njerëz janë arrestuar, por për këtë fakt policia moskovite tash për tash hesht.

Agjencia Interfax bën të ditur se, të mërkurën, rreth 2,000 njerëz janë tubuar në qendër të Moskës, në përpjekje për të mbajtur protestën, për të cilën nuk e kishin lejen e policisë.

Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë thuhet se nga mbrëmja e së martës janë arrestuar 300 njerëz, ndërsa 17 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Përfaqësuesi i Lëvizjes “Një tjetër Rusi”, Aleksandar Averin, tha se janë arrestuar edhe 45 aktivistë të kësaj lëvizjeje opozitare.

Në deklaratën dhënë shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, anëtari i Lëvizjes “Solidaritet”-i, Mihajl Shnajder, foli për tubime të reja në sheshin kryesor të Moskës.

“Për herë të parë kam parë një turmë të tillë. Ishin fytyra krejtësisht të reja dhe një gjë të tillë e ka vënë në dukje çdo gazetar. Dhjetë mijë të rinj kanë pasur forcë të dalin në rrugë”, tha ai.

Gazetat e pavarura shkruajnë se nga e hëna, përkatësisht pas protestës së parë, në Kremlin janë mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme. Në shesh thuhet të jetë dërguar menjëherë ekipi i Kanalit të Parë televiziv, i cili më pas ka transmetuar raportin ku janë prerë thirrjet anti-qeveritare, si: “Rusia pa Putinin”.

Mihajl Shnajder tha se, në prag të zgjedhjeve për Dhomën e Lartë të Parlamentit rus, do të ishte “shumë e efektshme” të kërkohet shpërbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Komisioni në gjithë Federatën Ruse duhet të jetë i pavarur. Duhet të ndërrohen të gjithë anëtarët e tij. Ndërsa, slogani kryesor duhet të jetë “Rusi zgjohu’, ai duhet të përdoret në të gjitha protestat masive”, tha ai.

Organizata “Human Rights Watch” ka akuzuar autoritetet ruse për arrestimin e pjesëmarrësve në demonstratat paqësore.

“Një gjë e tillë nuk flet mirë për qeverinë, ndërsa arrestimet janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën e organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Sipas pohimeve të gazetarëve që kanë qenë në vendin e protestave në Moskë, policia ka vepruar në mënyrë brutale, duke futur njerëzit në autobusë dhe duke rrahur ata që kundërshtonin. (v.t.)
XS
SM
MD
LG