Ndërlidhjet

logo-print

Krimi dhe korrupsioni po dëmtojnë Kosovën


Presidentja Atifete Jahjaga - foto nga arkivi

Presidentja Atifete Jahjaga - foto nga arkivi

Presidentja Atifete Jahjaga është zotuar para Kuvendit të Kosovës se do t’i shfrytëzojë të drejtat kushtetuese e ligjore, që të përfshihet fuqishëm në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjatë fjalimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Jahjaga ka thënë se nga e premtja do të nisë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku, përveç angazhimit të saj për mbështetje në çështjen e lobimit dhe njohjeve të reja për Kosovën, do të kërkojë edhe ndihmën dhe mbështetjen amerikane për luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Këto dukuri po e dëmtojnë rëndë të ardhmen e Kosovës, ka thënë ajo, duke paralajmëruar se do të themelojë një këshill anti-korrupsion, të cilin do ta drejtojë vetë presidentja.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të fitohet.

“Nesër do të udhëtoj në vizitë zyrtare në SHBA, ku do të takohem me Sekretaren e Shtetit, Kryeprokurorin amerikan, Drejtorin e FBI-së dhe me udhëheqësit e Pentagonit. Në këto takime do t’i njoftoj ata me hapat e bërë në luftën kundër korrupsionit”.

“Pas kthimit në Kosovë do të themeloj këshillin anti-korrupsion, të cilin do ta udhëheq në bazë të kompetencave të mia kushtetuese e ligjore. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të fitohet”,
është shprehur Jahjaga.

Në vijim, Jahjaga ka folur edhe për raportet dhe sfidat e shtetit të Kosovës me Serbinë fqinje.

Duke rikujtuar se pavarësia e Kosovës është një proces i përmbyllur, presidentja Jahjaga i ka bërë thirrje Serbisë të ndalë ndërhyrjen dhe ndikimin e saj në komunat në veri të vendit, që si qëllim mund të kenë destabilizimin dhe cenimin e tërësisë territoriale të Kosovës.

“I bëjmë thirrje udhëheqjes së Republikës së Serbisë që të heqë dorë nga pretendimet territoriale dhe që të ndërpresë përkrahjen për strukturat ilegale, kriminale në tri komunat në veri të Kosovës, të cilat po e mbajnë peng përparimin dhe të ardhmen e qytetarëve. Periudhat e luftërave dhe hegjemonisë kanë përfunduar”, ka thënë Jahjaga.


Dialogu - rruga më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve

Presidentja e Kosovës ka thënë se dialogu me Serbinë paraqet rrugën dhe mënyrën më të mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve të pavarura.

“Ne nuk duhet t’i shmangemi dialogut. Parimet themelore të shtetësisë sonë dhe subjektivitetit nuk mund dhe nuk do të jenë pjesë e asnjë diskutimi me askënd, e aq më pak me Republikën e Serbisë”, është shprehur Jahjaga.

Më pas, ajo ka folur edhe për rëndësinë e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike. Jahjaga ka paralajmëruar se shteti i Kosovës do ta përmbyllë fazën e mbikëqyrjes ndërkombëtare gjatë muajve të ardhshëm, kur, sipas saj, pritet që Zyra Civile Ndërkombëtare të përfundojë mandatin.

“Në muajt në vijim, Zyra Civile Ndërkombëtare do të përfundojë misionin e saj të mbikëqyrjes së zbatimit të Planit Ahtisari dhe ky shënon një sukses të përbashkët. Kosova, edhe në të ardhmen, do të ketë një prani të kufizuar ndërkombëtare, veçanërisht ushtarake, për ngritjen e plotë të kapaciteteve për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Jahjaga.

Në fjalimin e saj para Kuvendit, Jahjaga ka potencuar edhe rëndësinë e madhe që ka zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve nga jashtë dhe vazhdimi i politikave lobuese për njohje të reja.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG