Ndërlidhjet

logo-print

Kusari Lila: Reciprociteti ekziston


Ilustrim me foto arkivi

Ilustrim me foto arkivi

Pavarësisht mocionit për marrjen e masave reciproke në raport me mallrat serbe, të miratuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, në ekzekutivin e vendit thonë se nuk do të mund të merret ky hap, meqë vendimi për reciprocitet me Serbinë, në aspektin tregtar, “ekziston dhe aktualisht është duke u zbatuar”.

Këtë e pohon të paktën zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Sipas saj, i mbetet iniciuesit dhe partive që kanë votuar këtë mocion, të sqarojnë se cilat duhet të jenë veprimet që duhet realizuar në raport me reciprocitetin politik dhe ekonomik.
Nëse thuhet masa reciproke me Serbinë në aspektin tregtar, atëherë ne jemi duke i zbatuar këto masa, për shkak se ka njohje reciproke të vulave.

“Ju e dini se Serbia vetëm i ka njohur vulat e Doganave të Kosovës. Njëjtë ka vepruar edhe Kosova me heqjen e masave të reciprocitetit. Prandaj ne, realisht, jemi në një raport reciprok me Serbinë sa u përket vulave doganore”.

“Nëse kërkohet bllokadë apo mbyllje e kufirit, ai është tjetër mocion dhe do të kuptonte diçka tjetër. Por, nëse thuhet masa reciproke me Serbinë në aspektin tregtar, atëherë ne jemi duke i zbatuar këto masa, për shkak se ka njohje reciproke të vulave”,
thotë Kusari Lila.

Se kërkesat për ndërmarrjen e masave reciproke në dokumentin e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë sqaruar sa duhet, thonë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se qëllimi i mocionit është në dobi të prodhuesve kosovarë, porse "sponzoruesi i dokumentit është dashur të sqarojë se problemet paraqiten te mosnjohja e dokumenteve për udhëtim të qytetarëve kosovarë".

“I paqartë, sepse thuhet të vihen masat e reciprocitetit dhe që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të bashkëpunojë më shumë me bizneset vendore për të gjetur tregje të reja - gjë të cilën askush nuk e kundërshton".

"Por, përderisa nuk kemi ndonjë problem të lëvizjes së mallrave, me Serbinë kemi problem në lëvizjen e qytetarëve - nuk pranohen dokumentet, pasaportat, sigurimet dhe tabelat”,
thotë Shahini.

Lëvizja Vetëvendosje ka qenë iniciuese e mocionit për ndërmarrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë. Ky mocion në Kuvendin e Kosovës është miratuar me 42 vota për, 33 kundër, ndërsa 2 deputetë kanë abstenuar.

Kërkesat e mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje janë që qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë; që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxisë dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia dhe që qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetërorë për të siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendimet e Kuvendit duhet të zbatohen nga Qeveria, e cila zgjidhet drejtpërdrejt nga organi ligjvënës.

Serbia, që nga fundi i vitit 2008, ka bllokuar mallrat kosovare për tregun serb, si dhe kalimin transit të tyre, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, më 20 korrik, ka vendosur masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që janë ndërprerë më 16 shtator, pasi që Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në Bruksel për tregtinë e lirë dhe njohjen reciproke të vulave doganore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG