Ndërlidhjet

Mungesë anesteziologësh në klinikën infektive


QKUK
QKUK
Klinika infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë një dite, frekuentohet nga një numër i konsiderueshëm i pacientëve, bëjnë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

Së fundmi në këtë klinikë janë hapur edhe tri reparte të reja, duke përfshirë edhe atë të mjekimit intensiv.

Por, edhe përkundër investimeve që janë bërë brenda këtij objekti, ky nuk shfrytëzohet për shkak se përballet me mungesë të stafit profesional, sidomos të anesteziologëve.
Një prej problemeve që ballafaqohet klinika e infektivës është mungesa e anesteziologëve.

Është klinikë që viteve të fundit e ka zgjeruar veprimtarinë e vet. Prej vitit të kaluar janë 7 departamente, nga 5 sa kanë qenë, kemi edhe repartin intensiv, mirëpo numri i personelit shëndetësor nuk është rritur, dhe mendoj se ka pak (personel shëndetësor) për kapacitetet që i ka klinika. Një prej problemeve që ballafaqohet klinika e infektivës është mungesa e anesteziologëve”, thotë Izet Sadiku, infektolog në këtë klinikë.

Drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, thotë se kërkesat e klinikës infektive për rritje të numrit të stafit profesional janë të parealizueshme, meqenëse, siç thotë ai, e gjithë klinika përballet me mungesë anesteziologësh.

Është e vërtetë që në QKUK ka mungesë të anesteziologëve. Por, edhe kërkesat e klinikave, që secila nga to të ketë anesteziologë, është e ekzagjeruar, edhe pse ata duhet të disponojnë kuadër të kujdesit intensiv të profilit të caktuar, që në bashkëpunim me anesteziologët ekzistues mund t’i kryejnë këto shërbime”, shprehet Gashi.

E zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se kujdesi intensiv në klinikën infektive shfrytëzohet në mënyrë të kufizuar, për shumë shkaqe.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Jo të gjitha rastet që hospitalizohen në klinikën infektive kanë nevojë për kujdes intensiv, derisa shfrytëzimi nga repartet tjera do të ishte i mundur nëse do të mbështetej në specialistë të rianimimit dhe anesteziologjisë, e që QKUK-ja ende nuk i ka në numrin e duhur”, thekson Ilir Tolaj, sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, njëherazi infektolog.

Ndërsa Izet Sadiku, thotë se mungesa e anesteziologëve brenda klinikës, dhe thirrjet e tyre për raste emergjente shpesh herë janë të vonuara.

Kemi vazhdimisht probleme, meqenëse gjithmonë mungon një anesteziolog brenda klinikës. Zgjidhja e vetme është thirrja e tyre në rastet urgjente, por shpesh intervenimet e shpejta nuk kanë kohë të presin, andaj mund të jetë edhe shumë vonë për pacientin”.

Ndërkaq Njazi Gashi, mendon se mënyra e vetme për pacientët që kanë raste emergjente, është thirrja e anesteziologut në klinikën infektive, apostafat për këto raste urgjente.

Kuadri që punon aty është i trajnuar për rianimim në raste emergjente dhe vonesat që mund të shkaktohen nga thirrjet për anesteziologë për dhënien e ndihmës është shumë e vogël. Është shumë më e lehtë të thirret anesteziologu siç aplikohet tani, sesa të dërgohet pacienti në klinikën ku gjendet anesteziologu, ashtu siç është aplikuar më herët”, bën të ditur Gashi.
XS
SM
MD
LG