Ndërlidhjet

Tendenca e ndërhyrjes politike në media


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sipas punëtorëve të mediave në Maqedoni, koncepti i prezantuar nga dikasteri i transportit dhe lidhjeve për rregullimin e punës së medieve, me ligj synon plotësisht ta kontrollojë dhe menaxhojë eterin mediatik dhe shtypin, duke kërcënuar, fjalën e lirë.

Robert Beliçanec, nga qendra për zhvillimin e mediave, vlerëson se qeveria përmes dikasterit të transportit dhe lidhjeve ka në plan t’i përcaktojë të drejtat dhe detyrimet e kryeredaktorëve, redaktorëve dhe gazetarëve, si dhe mënyrat se si duhet të publikohet përgënjeshtrimi i ndonjë lajmi apo informacioni.

Kësaj radhe shohim vetëm vullnetin e qeverisë e cila është e interesuar vet të rregullojë punën e mediave duke i shfrytëzuar gazetarët, se janë pjesë e këtij koncepti me atë që i fton në prezantim, por duke mos i inkorporuar idetë dhe vërejtjet e tyre” thekson Beliçanec.

Ai shton se vërejtjet në raportin e fundit të KE-së nuk kanë të bëjnë me mangësitë në aspektin juridik, sa për përfshirjen e politikës në punën e mediave.

Atë që nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë autoritetet shtetërore, është fakti se vërejtjen nuk e fokusojnë si problem dispozitat ligjore që rregullojnë punën e medieve, por çarjen e politikës kundrejt punës së gazetarëve”, thekson Beliçanec.

Por ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski, pretendon se qëllimi përfundimtar i aktiviteteve që i inicion dikasteri të cilin ai e drejton, është debatit rreth harmonizimit të legjislativit të Maqedonisë me direktivat BE-së.

Sipas tij, me këtë do të përmirësohet klima për punën e mediave në Maqedoni për të shmangur vërejtjet e apostrofuara në Raportin e Progresit, sa i përket lirisë së të shprehurit

Qëllimi ynë është që përmes harmonizimit të legjislacionit me vendet e BE-së, në raportin e ardhshëm të KE-së të ketë më pak ose fare mos ketë kritika në pjesën e punës së mediave, gjegjësisht lirinë e shprehjes, duke krijuar një ambient më të mirë mediatik”, shprehet Janakievski.

Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, deklaron se SHGM-ja mbështet debatin për nevojat e harmonizimit të legjislativës së Maqedonisë me direktivat evropiane, rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian, por në tërë këtë proces është e duhet patjetër të kyçen dhe njëherësh të respektohet vendimi i gazetarëve.

Ne do ta udhëheqim këtë proces, do të hapim debat me kolegët dhe të gjithë ata të cilët janë të interesuar ose i tangon ligji përkatës, dhe më pas bashkërisht do të konstatojmë se a ka nevojë ose jo për të ndryshuar ligjin, për të miratuar një krejtësisht të ri, pra ne tani kërkojmë që procesin ta kthejmë në binarë”, thotë Selmani.

...gazetarët duhet të tregohen më syçelë, fundja, e gjithë kjo do të reflektohet në punën e tyre në të ardhmen.
Ndërkaq Vesna Shopar, analiste, thekson se gazetarët duhet të tregohen syçelë që në definimin e versionit të parë të ligjit përkatës, ngase duket qartë se qeveria dëshiron të vë nën kontroll gjitha mediat në Maqedoni.

Praktika e deritanishme ka dëshmuar se amandamentet për të ndërhyrë në ligj, pasi që ai ka hynë në procedurë parlamentare, nuk mbështeten nga shumica parlamentare. Kjo është një arsye e fuqishme pse gazetarët duhet të tregohen më syçelë, fundja, e gjithë kjo do të reflektohet në punën e tyre në të ardhmen”, thekson Shopar.

Ndryshe koncepti i prezantuar nga dikasteri i transportit dhe lidhjeve, parasheh edhe gjoba të majme për mediat dhe drejtuesit e tyre, të cilët nuk do t’i respektojnë rregullat që i parasheh statuti i përgatitur.

Gjobat, sipas qeverisë, do të shkojnë deri në 3 për qind nga të ardhurat vjetore të mediave.
XS
SM
MD
LG