Ndërlidhjet

Sarkozi paralajmëron udhëheqësit e BE-së se nuk do të ketë mundësi të dytë


Pak orë para fillimit të samitit të Bashkimit Evropian, që shihet si mbledhje kyçe për të ardhmen e eurozonës, presidenti francez, Nikolas Sarkozi ka kërkuar nga udhëheqësit evropianë që të tregojnë frymën e kompromisit.

“Nëse nuk arrijmë ndonjë marrëveshje deri nesër, nuk do të kemi një mundësi të dytë”, ka paralajmëruar Sarkozi.

Këto komente ai i bëri gjatë fjalimit para një kongresi në Marsejë, ku morën pjesë edhe disa prej udhëheqësve të BE-së, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso.

Sarkozi tha se Evropa asnjëherë më parë nuk ka qenë më në rrezik se tani. Ai kërkoi nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian që të mbështesin reformat e propozuara nga ai dhe Merkel, në mënyrë që askush të mos mbetet mbrapa.
XS
SM
MD
LG