Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria respekton vendimin për reciprocitetin?


Qeveria e Kosovës, përmes një deklarate për media u shpreh se ekzekutivi mbetet i përkushtuar ndaj rekomandimeve, të cilat dalin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Në lidhje me rekomandimin e djeshëm të Kuvendit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të shikojë mundësitë dhe alternativat për respektimin e tyre, gjithnjë duke u mbështetur në respektimin e kornizave ligjore dhe procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e Qeverisë në lidhje me vendimin e Kuvendit që të kthejë masat e reciprocitetit me Serbinë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë ka qenë e vendosur që Kosova të trajtohet e barabartë me të gjitha vendet, edhe në marrëdhëniet me Serbinë, si dy shtete të pavarura e sovrane dhe masat e ndërmarra kanë qenë gjithnjë në drejtim të përmbushjes së këtij qëllimi”, thuhet në komunikatë.

Qeveria rikujton përkushtimin e saj dhe gatishmërinë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, me theks të veçantë në normalizimin dhe përmirësimin e raporteve ndërshtetërore me Serbinë dhe fqinjët tjerë.

“Çdo hap i Qeverisë së Kosovës ka për synim mbarëvajtjen e procesit drejt integrimit Evropian, ruajtjes së marrëdhënieve të mira dhe produktive në të gjitha fushat, përfshirë edhe ekonominë e lirë të tregut. Prandaj, edhe Rekomandimin e fundit të Kuvendit të Republikës së Kosovës e kuptojmë si qasje për trajtim të barabartë në raport me secilin shtet, përshirë edhe Serbinë, për çfarë kemi qenë dhe mbetemi të angazhuar në vazhdimësi”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

Një ditë më parë Kuvendi i Kosoves votoi mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilin kërkohej kthimi i masave reciproke në rrafshin politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë.
XS
SM
MD
LG