Ndërlidhjet

Rusia mund të bojkotojë samitin e NATO-s


Rusia tha sot se është e mundshme që ta bojkotojë samitin e NATO-s, në majin e vitit të ardhshëm, nëse të dyja palët deri atëherë nuk arrijnë të tejkalojnë dallimet, lidhur me planet e NATO-s për një sistem të mbrojtjes raketore në Evropë.

Zëvendësministri rus i punëve të jashtme, Sergei Rjabkov tha se një vendim final rreth kësaj çështjeje do të merret pas zgjedhjeve presidenciale ruse, që mbahen në mars të vitit të ardhshëm, ku pritet që Vlladimir Putini ta sigurojë rikthimin e tij në Kremlin.

Këto komente vijnë një ditë pas takimit të Rusisë dhe NATO-s në Bruksel, ku palët dështuan në arritjen e një marrëveshjeje lidhur me planet për mburoja raketore.

Rusia ka shfaqur shqetësimet e saj se ky sistem mund ta dobësojë arsenalin e saj bërthamor dhe ka kërcënuar për masa penalizuese nëse nuk merren parasysh këto shqetësime.
XS
SM
MD
LG