Ndërlidhjet

Pro reciprocitetit ndaj produkteve serbe


Ilustrim
Ilustrim
Bizneset vendore ishin përfituesit më të mëdhenj kur Qeveria e Kosovës më 20 korrik të këtij viti, kishte bllokuar produktet e Serbisë dhe humbësit më të mëdhenj kur Qeveria i largoi masat e reciprocitetit 40 ditë më vonë.

Tani, pas mocionit për marrjen e masave reciproke ndaj produkteve serbe, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, bizneset vendore shpresojnë se Qeveria e Kosovës do të fillojë zbatimin.

Pronari i kompanisë “ASK Foods”, në Gjilan, Erton Namoni, thotë se ky do të ishte një vendim mjaft i qëlluar.

“Së pari shpresoj që do të bëhet. Është arritje e madhe sa i përket rikthimit të reciprocitetit. Është pak e vonshme. Ishte dashur të vazhdojë reciprociteti, por pasi që u bë ndërprerja, besoj që do të ishte mirë të rikthehet. Të shohim a do ta aprovojë Qeveria, meqë është në një kohë të keqe dhe kur Evropa është hapur ndaj neve dhe mund të dalë probleme me Unionin Evropian”, thekson Namoni.

Mocioni për marrjen e masave reciproke ndaj produkteve serbe ishte iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje.


Ky mocion i miratuar nga Kuvendi i Kosovës ka të bëjë me atë, që Qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë; që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxisë dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia dhe që Qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetërorë për të siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Marrjen e masave reciproke e kërkon edhe kompania “Pestova”, në Vushtrri. Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kosumi, thotë se Serbia asnjëherë nuk e ka respektuar marrëveshjen për njohje reciproke të vulave. Ai thotë se edhe pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ata nuk kanë mundur të eksportojnë në Serbi.
Nëse Serbia shet në Kosovë, edhe ne dëshirojmë të shesim në Serbi...


Një muaj sa ka zgjatur masa e reciprocitet, ne kemi marrë frymë lirshëm. Kjo nuk do të thotë se ne dëshirojmë ta mbajmë monopolin. Jo monopolin, por ne dëshirojmë të jemi të barabartë. Nëse Serbia shet në Kosovë, edhe ne dëshirojmë të shesim në Serbi, e ne në asnjë mënyrë nuk po arrijmë, për arsye se përveç bllokadës institucionale, ata bëjnë edhe bllokada tjera të produkteve tona”, thotë Kosumi.

Ndërkaq, Erton Namoni, pronor i kompanisë ASK Foods” , thotë se eksportin e parë për Serbi e kanë bërë vetëm para një jave.

“Rastin e parë të eksportit në Serbi e kemi javë e kaluar - kemi dërguar mall në Beograd. Ndërkaq, sa i përket transitit, e kemi shfrytëzuar për dy dërgesa në Kroaci dhe një për Gjermani”, tregon Namoni.

Reciprociteti ndaj produkteve të Serbisë të aplikuara në korrik të këtij viti kishte ndikuar në rritjen e kërkesave për prodhimet vendore. Kjo, sipas tyre, ka bërë që të ketë përmirësim të gjithëmbarshëm ekonomik. Ata kërkojnë konkurrencë të mirëfilltë tregtare. Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova” në Vushtrri, shprehet:

“Ne kemi konkurrencë edhe prej vendeve të Bashkimit Evropian prej Turqisë, prej vendeve tjera, por konkurrenca që vjen nga vendet tjera është pikërisht ajo konkurrencë që të forcon, ndërsa konkurrenca që po vjen nga Serbia, është e pamundur të parashikohet”.

Sidoqoftë, pavarësisht mocionit për marrjen e masave reciproke në raport me mallrat serbe, të miratuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, në ekzekutivin e vendit thonë se nuk do të mund të merret ky hap, meqë vendimi për reciprocitet me Serbinë, në aspektin tregtar, “ekziston dhe aktualisht është duke u zbatuar”.
XS
SM
MD
LG