Ndërlidhjet

Kontestet ekonomike: Zgjidhja, në qendra arbitrazhi


Ilustrim
Ilustrim
Dy qendrat e arbitrazhit, të hapura në Kosovë para dy muajve, kanë filluar të bëjnë zgjidhjen e kontesteve ekonomike pa iu drejtuar gjykatave të Kosovës.

Kështu të paktën thonë përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë. Deri më tani, sipas tyre, në këto qendra të arbitrazhit janë zgjidhur disa konteste ekonomike ndërmjet bizneseve.

Ardi Shita, sekretar gjeneral i Qendrës për zgjidhjen alternative të kontesteve në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë pranuar dy raste për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekonomike.

“Deri tani kemi dy biznese që i janë drejtuar qendrës së arbitrazhit në OEAK, por pasi që parimi bazë i qendrës së arbitrazhit është konfidencialiteti, ne nuk mund të japim më shumë informacione”, thotë Shita.

Këto dy qendra të arbitrazhit, të themeluara dy muaj më parë, sipas përfaqësuesve të organizatave ekonomike në vend, po ndihmojnë zhvillimin e drejtë tregtar dhe afarist në Kosovë.

Edhe sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se bizneset po shprehin interesim, por një interesimi më i madh është nga investitorët e huaj, të cilët kanë shprehur interesim të jenë pjesë e qendrës së arbitrazhit.

Rukiqi tregon se tani kanë filluar zgjidhjen e një kontesti ekonomik, i cili është në përfundim e sipër.

“Menjëherë pas fillimit të punës kemi pasur rastin e parë mes dy kompanive, njëra nga Kosova dhe njëra nga, kushtimisht, pjesa e Kosovës Lindore, pra nga Serbia, të cilat kanë pasur një kontest dhe tani janë në fund të rastit”, tregon Rukiqi.

Organizatat ndërkombëtare vazhdimisht kishin konstatuar se në Kosovë ekzistojnë konteste të shumta ndërmjet bizneseve dhe se ato biznese shpesh nuk iu drejtohen gjykatave për shkak të procedurave të stërzgjatura dhe kostos së lartë.

Në raportin e Bankës Botore “Të bërit biznes në Kosovë” për vitin 2011, është thënë se zgjidhja e një kontesti tregtar mes bizneseve në vlerë prej 3 mijë eurosh, në Gjykatën Ekonomike të Prishtinë, zgjatë 420 ditë.

Lidhur me këtë, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se në Qendrën e arbitrazhit në OEK zgjidhja e kontesteve ekonomike bëhet në mënyrë shumë efikase.

Berat Rukiqi
Berat Rukiqi
“Kosovës i duhet shumë kjo qendër e arbitrazhit, duke pasur parasysh sundimin e ulët të ligjit, vonesat në shumë aspekte ligjore, mosfunksionimin e gjykatës. Të gjitha këto e bëjnë shumë të rëndësishme punën e arbitrazhit, i cili tani ka filluar. Rasti si ky dhe rastet tjera që mund të përmbarohen në gjykatat vendore, do të rrisin vlerën e tij dhe do të mundësojnë që të ketë një çështje më pak sa i përket sundimit të ligjit dhe një pengesë më pak për investitorët e huaj”, vlerëson Rukiqi.

Ardi Shita nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ndërkaq thotë se palëve u ofrojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për së paku 60 për qind më shpejt se në Gjykatën ekonomike në Prishtinë apo në gjykatat tjera kompetente.

“Ne, sipas llogaritjeve që kemi arritur të bëjmë, shpejtësinë e procedimit të lëndëve e kemi 60 për qind më shpejt se në gjykatat vendore. Do të thotë se ne provojmë t’i qëndrojmë prapa dedikimit që e kemi dhënë ndaj bizneseve”, thekson Shita.

Në anën tjetër, bizneset kosovare kohë më parë kanë parë të nevojshme hapjen e një qendre të arbitrazhit, pasi që shumë herë ballafaqohen me probleme që kanë me palët kontraktuese.
XS
SM
MD
LG