Ndërlidhjet

logo-print
"...për Kosovën pajtueshmëria është arritur qysh në ditën e martë - është dhënë drita e gjelbër, jo vetëm për dialogun për viza, por edhe për marrëdhëniet tregtare", tha në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane.


RADIO EVROPA E LIRË
Ju ishit të premten në Bruksel dhe pas vendimit të Këshillit Evropian, sapo u kthyet në Kosovë, ju thatë se Kosovës i është premtuar nisja e dialogut për liberalizimin e vizave dhe vënia e marrëdhënieve kontraktuale. Kjo gjë, megjithatë, nuk përmendet në konkluzat zyrtare. A mund të na sqaroni më shumë lidhur me këtë?
VLORA ÇITAKU
Është e qartë që në kuadër të debatit publik në Kosovë ka shumë keqkuptime. E para, Kosova përmendet në konkluzat zyrtare të Këshillit të ministrave të BE-së. Ato konkluza janë miratuar ditën e martë dhe po ato konkluza janë rimbështetur nga ana e liderëve të Bashkimit Evropian dhe kjo theksohet në paragrafin e parë të konkluzave, të cilat janë dhënë për politikën e zgjerimit nga ana e liderëve të Bashkimit Evropian.

Është e rëndësishme të mos ketë paqartësi, të mos ketë huti. Konkluzionet, të cilat i ka miratuar Këshilli i ministrave të Jashtëm të BE-së, ditën e martë, janë riafirmuar dhe kanë marrë mbështetjen edhe nga ana e liderëve.

Pra, arsyeja pse nuk përmendet Kosova në mënyrë eksplicite në dokumentin e fundit, ka të bëjë me faktin se për Kosovën pajtueshmëria është arritur qysh në ditën e martë. Është dhënë drita e gjelbër, jo vetëm për dialogun për liberalizimin e vizave, i cili s’ka fjalë që është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, por mbase dhe më e rëndësishme se kjo është drita e gjelbër për marrëdhëniet tregtare dhe për qasje të Kosovës në programet e komunitetit, si dhe anëtarësimi në IBRT. Për herë të parë perspektiva evropiane e Kosovës ka marrë një formë konkrete, është konkretizuar përmes kësaj oferte të Bashkimit Evropian.

Është e qartë që Kosova është më larg se vendet e rajonit në procesin e integrimit evropian, por kjo është për shkak se ne jemi shpallur shtet vetëm para tre vjetësh dhe duhet të punojmë shumë më shumë sesa të tjerët për të zënë hapin.

U pa qartë që përmbushja e kritereve teknike, të cilën e kemi bërë këtu brenda e kombinuar me disponimin pozitiv politik që mbizotëron në BE për Kosovën, sidomos pas konstruktivitetit që kemi dëshmuar në procesin e dialogut me Serbinë, i është shpërblyer Kosovës. Dhe, të gjithë ata që trumbetonin që Kosova po i bën favor Serbisë, ndërkohë që vetë nuk do të përfitojë asgjë, sot u përgënjeshtruan.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse është thënë që fillon dialogu me datën 9, ose zyrtarizohet data e nisjes më 9 dhjetor, kur thuhet se kjo çështje nuk ka qenë fare në agjendë?

VLORA ÇITAKU
Jo, më 9 dhjetor është bërë rikonfirmimi i rekomandimeve që ka dhënë Këshilli i ministrave për Komisionin Evropian. Thuhet shumë qartë në rekomandime, përkatësisht në konkluzionet e ministrave të Jashtëm të BE-së që Kosova deri në fund të vitit duhet zyrtarisht të fillojë dialogun për liberalizimin e vizave. Këto konkluzione të Këshillit të ministrave kanë marrë mbështetjen edhe nga liderët e Bashkimit Evropian në samitin e ditës së premte dhe tani pritet vetëm edhe zyrtarisht lansimi i dialogut siç e parashohin edhe konkluzat e Këshillit të ministrave deri në fund të vitit.

RADIO EVROPA E LIRË
A i ka plotësuar Kosova të gjitha kushtet për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave?

VLORA ÇITAKU
E dini që ka pasur një seri kriteresh që është dashur të përmbushen në mënyrë që Kosova zyrtarisht të fillojë dialogun për liberalizimin e vizave. Për më tepër që kërkesat karshi Kosovës kanë qenë shumëfish më të mëdha sesa për vendet e rajonit - kjo për shkak se përvojat e marra nga procesi i liberalizimit me vendet tjera të Ballkanit perëndimor janë transformuar në formë kriteresh për Kosovën. Unë e kam thënë edhe publikisht që Kosova është dashur të mësojë për notën 10 në mënyrë që të marrë një 6-she.

Megjithatë, mundi ynë është shpërblyer, ne kemi punuar jashtëzakonisht shumë në dy vitet e fundit, do të thosha, sepse ne njëanshëm kemi bërë adaptimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe në këtë pikë të procesit ne jemi shumë më të avancuar sesa vendet e rajonit.

Unë jam shumë e bindur se Kosova po i hyn këtij procesi shumë më e përgatitur sesa vendet tjera të Ballkanit perëndimor dhe nëse ne do ta mbajmë këtë ritëm, unë jam e bindur që brenda një afati rekord ne do të mund t’i përmbushim të gjitha kriteret.

RADIO EVROPA E LIRË
Dihet se dialogu për liberalizimin e vizave zgjat me muaj të tërë. Pse Kosova nuk është e interesuar që para liberalizimit të vizave të ketë një marrëveshje me BE-në për lehtësim gjatë marrjes së vizave?
VLORA ÇITAKU
Për ne ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme që oferta që derivon nga Komisioni Evropian, të jetë ajo e udhërrëfyesit, përkatësisht e lansimit të procesit të liberalizimit të vizave. Ne kemi dashur me çdo kusht t’i shmangemi një oferte të ndërmjetme, e cila më pas do të mund të përdorej nga ndokush si kompensim për ndonjë ngecje eventuale nga e Bashkimit Evropian në procesin e liberalizimit të vizave.

Ne nuk kemi dashur të bëjmë kompromis me udhërrëfyesin, nuk kemi dashur të bëjmë kompromis me lansimin e dialogut për liberalizimin e vizave dhe vetëm tani pasi ta kemi marrë udhërrëfyesin, do të mund të hapim një bisedë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbisë nuk iu dha statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian siç pritej në Beograd. Këshilli Evropian përmend rëndësinë e përmbushjes së marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun me palën kosovare. Besoni se do të ketë një lloj përkushtimi të tillë nga Serbia?

VLORA ÇITAKU
Tashmë është e qartë që rruga e Serbisë për anëtarësim në BE, kalon përmes normalizimit të raporteve me Kosovën. Kjo tashmë është dhe zyrtarisht e konfirmuar nga ana e strukturave më të larta të Bashkimit Evropian, i është dhënë fund politikës dyfytyrëshe që për një kohë është udhëhequr në Beograd, ku në vazhdimësi ka pasur një dualizëm - një Serbi evropiane karshi Brukselit dhe një Serbi tërësisht anti-evropiane karshi Kosovës.

Ne duhet ta themi hapur, është në interes edhe të Kosovës edhe të rajonit që rajoni të evropianizohet dhe të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të anëtarësohen në strukturat e Bashkimit Evropian, por kjo duhet të kalojë vetëm përmes një filtrimi dhe përmes përmbushjes së kritereve, sidomos atyre të Kopenhagës, të cilat shumë qartë e saktësojnë që bashkëpunimi rajonal është parakusht për procesin e integrimeve evropiane.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG