Ndërlidhjet

logo-print

Kacin: Normalizimi i raporteve me Kosovën kusht për Serbinë


Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, paraqet parakusht të domosdoshëm për përparim më të shpejtë të Serbisë kah Bashkimi Evropian, sepse pa arritjen e stabilitetit të plotë rajonal dhe të bashkëpunimit, asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor, nuk mund të ketë qasje në BE.

Mëtutje, ai ka theksuar se askush nga politikanët e BE-së asnjëherë nuk ka kërkuar nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Mendoj se Serbia, në vend se ta pranoj pavarësinë e Kosovës, më parë duhet ta pranoj se serbët në Kosovë janë pjesë e zgjidhjes: se ata në jug kanë dalur në zgjedhjet e atjeshme, se i kanë 14 deputetë në Kuvendin e Kosovës, dhe se i kanë tre ministra në qeverinë e HashimThaçit”, tha Jelko Kacin, për gazetën novosadase, Dnevnik.

Ai, poashtu, ka përkujtuar se në veri të Kosovës qëndrojnë barrikadat dhe demonstruesit i sulmojnë forcat ndërkombëtare, në mesin e të cilave janë edhe ushtarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Zoti Kacin e ka kritikuar nënkryetarin e qeverisë së Serbisë në largim, Bozhidar Gjeliq, duke thënë se “fjalët e tij të rënda në llogari të Gjermanisë, javën e kaluar, nuk kanë dhënë fryte” dhe ka shtuar se “ato edhe njëherë në mënyrë të pakëndshme i kanë befasuar politikanët gjermanë dhe opinionin e atjeshëm, e cila parimisht, e mbështet Serbinë”.
XS
SM
MD
LG