Ndërlidhjet

NYT: Depresioni dhe demokracia


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
"New York Times"

Është koha të fillojmë që situatën aktuale ta quajmë ashtu siç është: një depresion.

Është e vërtetë se nuk bëhet fjalë për një Depresion të Madh, por është ky është vetëm një ngushëllim i ftohtë.

Papunësia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë vazhdon të mbetet jashtëzakonisht e madhe. Udhëheqësve të institucioneve është duke iu humbur reputacioni, ndërsa vlerat demokratike janë nën bllokadë.

Në frontet politike, sikurse edhe në ato ekonomike, është e rëndësishme që të mos rrëzohesh në një gjendje jo aq të keqe sa në një kurth. Papunësia e madhe nuk është e pranueshme vetëm se nuk ka goditur nivelet e vitit 1933; tendencat ogurzeza politike nuk duhet përjashtuar vetëm pse Hitleri nuk është në horizont.

Kriza e euros në Evropë është duke e mbytur ëndrrën evropiane. Valuta e përbashkët, e cila kishte për qëllim bashkimin e shteteve, tani po krijon një atmosferë të hidhur.

Askush që e njeh historinë e Evropës nuk mund ta shohë këtë rigjallërim të armiqësisë pa ndjerë drithërima. Megjithatë, gjëra edhe më të këqija mund të ndodhin.

Në Finlandë, partia e quajtur ‘Finlandezët e vërtetë’, me qëndrime kundër imigrantëve, gjeti mbështetje të fortë te votuesit në zgjedhjet e prillit. Përderisa kjo ndodhë në një vend të tillë të pasur, me një ekonomi që është mbajtur relativisht mirë, gjendja duket edhe më e keqe në vendet e varfra të Evropës Qendrore dhe Lindore.


Muajin e kaluar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dokumentoi një rënie të mprehtë të mbështetjes publike për demokracinë në vendet e reja të BE-së; në vendet që iu bashkuan BE-së pas rënies së murit të Berlinit. Në Hungari, institucionet demokratike aktualisht janë duke u dëmtuar.

Një prej partive më të mëdha të Hungarisë, partia “Jobik”, është kundër komunitetit rom, si dhe është parti anti-semite.

Por rreziku i menjëhershëm vjen prej partisë qeverisëse të qendrës së djathtë, “Fidesz”.

Kjo parti fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, të paktën pjesërisht për shkaqe ekonomike.

Hungaria nuk është pjesë e eurozonës por pësoi rëndë për shkak të shkallës së gjerë të huamarrjes në valutë të huaj dhe gjithashtu, në saje të keqmenaxhimit dhe korrupsionit nga ana e partive të atëhershme në pushtet, liberalëve të majtë.

Tani, partia Fidesz, e cila u përplas me një Kushtetutë të re në pranverën e kaluar, në një votim partiak, duket e vendosur për një qëndrim të përhershëm në pushtet.

Nëse merren parasysh të gjitha këto elemente, e gjithë kjo të çon në rivendosjen e sundimit autoritar, nën një lustër të hollë të demokracisë, në zemër të Evropës. Dhe ky është një shembull i asaj që mund të ndodhë edhe më gjerësisht, nëse vazhdon depresioni.

Bashkimi Evropian e humbi shansin për të kthyer pushtetin në fillim - pjesërisht për shkak se Kushtetuta e re u përplas gjatë mbajtjes së presidencës me rotacion të BE-së, kur radhën e kishte Hungaria.

Do të jetë shumë më e vështirë tani të ndërrohet kahja. Megjithatë, udhëheqësit e Evropës është më të mirë të bëjnë përpjekje, nëse nuk duan të rrezikojnë të humbasin gjithçka.

Ata gjithashtu duhet t’i rishqyrtojnë politikat e dështuara ekonomike. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të ketë kthim mbrapa për demokracinë dhe thyerja e euros do të jetë shqetësimi i tyre më i pakët.(v.k.)
XS
SM
MD
LG