Ndërlidhjet

logo-print

Bllokadat për NATO-n mbeten

  • RFE /RL

Pakistan...

Pakistan...

Kryeministri pakistanez, Jusuf Raza Gilani thotë se bllokada e rrugëve të furnizimit të NATO-s për në Afganistan, që Pakistani e kishte ndërmarrë në hakmarrje ndaj sulmeve vdekjeprurëse me helikopterë të NATO-s në territorin e tij, me gjasë do të mbetet për disa javë.

Në një intervistë për BBC, zoti Gilani ka paralajmëruar se Pakistani mund të ndërmarrë edhe masa të tjera ndëshkuese, përfshirë edhe mundësinë e mbylljes së hapësirës ajrore për Shtetet e Bashkuara, një lëvizje që edhe më tepër mund ta komplikoj furnizimin e forcave të NATO-s në Afganistan.

Zoti Gilani tha, po ashtu, se as Pakistani e as Shtetet e Bashkuara, nuk i besojnë njëra – tjetrës në luftën kundër militantëve islamikë, dhe se Islamabadi do ta mbajë bllokadën në pikat kufitare për në Afganistan, derisa të rishkruhen rregullat e angazhimit.

Kryeministri pakistanez, Jusuf Raza Gilani

Kryeministri pakistanez, Jusuf Raza Gilani


Po, ekziston hendek i besueshmërisë. Ne po punojmë së bashku dhe ne ende nuk i besojmë njëri-tjetrit. Mendoj se ne duhet t’i përmirësojmë raportet tona, në mënyrë që për rezultate më të mira, ne duhet të kemi më tepër besim në njëri-tjetrin”, tha Jusuf Raza Gilani.

Raportet aktualisht të ndjeshme të Pakistanit me Shtetet e Bashkuara, ishin lëkundur edhe më tutje, në muajin maj të këtij viti, kur forcat speciale të Shteteve të Bashkuara, e vranë liderin e al-Kaidës, Osama bin Laden, afër Akademisë ushtarake të Pakistanit, pa e njoftuar Islamabadin ose autoritetet ushtarake të Pakistanit.

Por, raportet kanë rënë në nivelin më të ulët, prej 26 nëntorit, kur nga sulmet e dy helikopterëve të NATO-s u vranë 24 ushtarë pakistanezë. Këtë sulm, ushtria e Pakistanit e vlerësoi si të qëllimshëm.

Uashingtoni ka shprehur keqardhje për sulmet në dy pika kufitare pakistaneze, por thotë se nuk do të kërkoj falje, derisa hetimet të përcaktojnë qartazi se çka ishin duke bërë ushtarët pakistanezë, kur sulmet ajrore ishin kërkuar nga trupat e afërta të këmbësorisë së NATO-s në Afganistan.

Brenda disa orëve, pas sulmit të helikopterëve më 26 nëntor, Pakistani i ka mbyllur të dy rrugët kryesore në territorin e tij, për transportimin e furnizimeve të NATO-s në Afganistan.

Kërcënimi i kryeministrit pakistanez, Jusuf Raza Gilani, për mbajtjen e bllokadave, mund ta aktualizoj rëndësinë e rrugëve alternative nëpër Azinë Qendrore.

Kjo mund të çoj në negociata të mëtejshme ndërmjet NATO-s dhe vendeve të Azisë Qendrore, Rusisë dhe rajonit të Kaukazit, për rrugë transitore të furnizimit të sasive më të mëdha të ngarkesave, përfshirë armatim dhe municion, përgjatë rrjetit verior të shpërndarjes.

Para vitit 2009, pjesa më e madhe e furnizimeve për 140 mijë trupat e udhëhequra nga NATO-ja në Afganistan, kalonte nëpër portin e Karaçit në Pakistan, e pastaj transportohej me kamionë në Afganistan.

Por, për shkak të një varg sulmesh kundër kamionëve furnizues të NATO-s në Pakistan, në vitin 2009, aleanca filloi të bëjë negociata për të drejta transitore me Uzbekistanin dhe Kazakistanin. Këto negociata u kompletuan pothuajse për një vit.

Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara ishin lejuar t’i shfrytëzojnë të ashtuquajturat rrugët veriore nëpër Azinë Qendrore, për furnizime jo-vrasëse. Por, rruga ishte e mbyllur për NATO-n si tërësi dhe për furnizimin me armatim, municion dhe furnizimet e tjera luftarake, për në Afganistan.(f. b.)
XS
SM
MD
LG