Ndërlidhjet

FP: Periudha e Apatisë


Nga protestat në Rusi...
Nga protestat në Rusi...
"Foreign Policy"

Gjerësia e protestave pas zgjedhjeve parlamentare të 4 dhjetorit në Rusi, për të cilat protestuesit thonë se ishin të manipuluara, nuk e kanë shokuar vetëm kryeministrin Vlladimir Putin dhe grupin e tij, por e ka shokuar edhe opozitën.

Rrjedhimisht, zyrtarët e Kremlinit nuk mund ta fajësojnë askënd, pos vetvetes për këtë zgjerim të lëvizjes protestuese.

Protestat e para filluan në mbrëmje, pas zgjedhjeve, me demonstratën ku morën pjesë ndërmjet 5,000 – 10,000 njerëz, në pjesën qendrore të Moskës.

Protesta u shndërrua në trazirë kur policia speciale i sulmoi protestuesit, që marshonin kah ndërtesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i shpërndarë demonstruesit, ndonjëherë me ashpërsi dhe duke i arrestuar kalimtarët e rastit.

Më se 200 njerëzit e arrestuar, përfshirë disa liderë opozitarë, gazetarë dhe aktivistë shumë të njohur, janë mbajtur gjatë natës në qelitë e tejmbushura, pa ushqim dhe pa qasje tek avokatët.

Proceset administrative filluan ditën e ardhshme, duke i dënuar protestuesit me nga 15 ditë burg, me arsyetim se u kanë bërë rezistencë urdhrave policore, por në fakt ata ishin dënuar thjesht se e kishin shprehur pakënaqësinë e tyre me autoritetet.

Ditët e ardhshme ndodhën protesta kundër Putinit dhe partisë udhëheqëse Rusia e Bashkuar, në Moskë dhe në qytetet e tjera të mëdha të Rusisë.

E tërë kjo kulmoi me tubimin masiv me mbi 50 mijë njerëz në Sheshin Bolotnaja në Moskë, më 10 dhjetor. Ky është një vlerësim konservator, pasi opozita pretendon se ishin afro 100 mijë njerëz të pranishëm.

Protestuesit u ndeshën me prani të madhe policore dhe ushtarake, që fliste për problemet potenciale, por dita kaloi pa asnjë akt provokimi nga demonstruesit dhe pa asnjë përdorim të forcës nga policia.

Demonstruesit bartnin fjongo të bardha në palltot e tyre, dhe shumë prej tyre kishin tullumbace dhe lule shumëngjyrëshe, duke theksuar frymën jo të dhunshme dhe jo partiake të protestës.

Femrat e reja të buzëqeshura u ofronin personave të rinj të uniformuar karafila dhe krizantema, ndërsa disa prej tyre me qeshje i pranonin këto dhurata të paqes.

Demokratët, komunistët, anarkistët, radikalët e majtë, dhe njerëzit pa bindje politike, brohorisnin: “Unë jam shtetas i shtetit tim”, “ne duam zgjedhje korrekte”, “mendimi ynë ka peshë”.

Atë mbrëmje, kanalet televizive shtetërore dhanë raporte të shkurtra për demonstratat masive, pasi ato thjeshtë duhej ta bënin këtë.

Çka e shkaktoi këtë zgjim të shtetasve të Rusisë, të cilët më parë dukeshin të qetë ndaj erozionit të demokracisë në periudhën e Putinit?

Ministria e brendshme me të shpejtë i fajësoi rrjetet shoqërore për “kërcënim ndaj bazave të shoqërisë” dhe “kontribut për pikëpamjet ekstremiste në rritje”.

Nga ana tjetër, Vlladimir Putini, që mund të parashihej, për çdo gjë e fajësoi ndërhyrjen perëndimore, duke e kritikuar sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton, për supozim se po dërgonte “sinjal” te opozita për ta destabilizuar Rusinë.

Por, në fakt, dy gabime trashanike nga vetë regjimi i Putinit, shërbyen si nxitje të valës aktuale të protestave.

Para se gjithash, kjo filloi me zbulimin që e bëri presidenti Dmitri Medvedev, më 24 shtator, se Putini do të garoj për presidencën ruse vitin e ardhshëm, ndërsa ai do ta udhëheq partinë Rusia e Bashkuar, në zgjedhjet parlamentare.

Pastaj, vetë Putini tha në mënyrë direkte se “një marrëveshje se çka do të bëhet në të ardhmen ishte arritur ndërmjet nesh, para disa vitesh”.

Tash periudha deri më 4 mars, kur mbahen zgjedhjet presidenciale, ka rëndësi të madhe. Edhe nëse Putini kthehet në presidencë, zëri i fuqishëm i pakënaqësisë në rrugë dhe në mediat shoqërore, do të dëshmoj se do të jetë e pamundshme për Putinin që të injoroj.

Zyrtarisht, periudha e apatisë ka përfunduar. (f. b.)
XS
SM
MD
LG