Ndërlidhjet

Kacin: BE s’i ka kërkuar Serbisë njohjen e Kosovës


Jelko Kacin
Jelko Kacin
Bashkimi Evropian nuk ka kërkuar nga Serbia që ta njohë Kosovën, ka thënë për Radion Evropa e Lirë raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, duke u përgjigjur në pohimet e zyrtarëve serbë se u është vënë një kushtëzim i këtillë.

“Parlamenti Evropian nuk ka asnjë informacion se Komisioni Evropian do të mund të kërkonte nga Serbia njohjen e Kosovës. Unë qëndroj prapa kësaj deklarate. Asnjë vend tjetër, vend anëtar i BE-së, nuk mund ta kërkojë njëanshëm një gjë të këtillë”, ka thënë Kacin.

Sipas tij, deklarata e ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, e cila u pasua edhe me deklaratën e presidentit serb, Boris Tadiq, se njohja e Kosovës është kusht për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, është dhënë për qëllime të brendshme politike, në kuadër të një fushate parazgjedhore.

“Këtë deklaratë e kuptoj në kontekstin e nevojave parazgjedhore, por për mua, duke qenë se jam i angazhuar rreth Serbisë, kjo deklaratë e tërheq Serbinë prapa nga realiteti dhe e çon në mitologji. Kosova nuk mund ta fitojë në afat të shkurtër kohor statusin e kandidatit, por Serbia mund dhe mendoj se e meriton një gjë të këtillë”.

“E vetmja gjë që kërkohet nga Serbia është që të mundësojë lirinë e lëvizjes për njerëzit, mallrat dhe kapitalin, që është parim thelbësor i BE-së. Barrikadat dhe bllokadat nuk mund të jenë përgjigje ndaj sfidave që gjenden para Serbisë deri në muajin mars, kur do të shqyrtohet sërish çështja e statusit të kandidatit për Serbinë”,
ka thënë Kacin për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti serb, Boris Tadiq, ka thënë se kërkesa e BE-së që Serbia ta njohë Kosovën është bërë në çastet e fundit të bisedimeve për statusin e kandidatit, kërkesë të cilën, sipas tij, Serbia e ka hedhur poshtë.

Edhe ministri i Brendshëm serb, Daçiq, ka thënë të martën se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës nëse dëshiron të fitojë statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian në muajin mars. (a.v.)
XS
SM
MD
LG