Ndërlidhjet

Edhe një kandidat tjetër kundër Putinit në zgjedhjet presidenciale



Një guvernator në Rusi, i cili për një kohë të gjatë njihej si aleat i Putinit, është kandidati i fundit që ka shpallur planin e tij për të garuar në zgjedhjet presidenciale, në mars të vitit të ardhshëm.

Hyrja e tij në garë është befasia e fundit, pasi miliarderi Mikhail Prokhorov shpalosi planet e tij për t’u kandiduar, gjatë një njoftimi dramatik të ditës së djeshme. Ai kishte vendosur të garojë për president, pavarësisht faktit se ishte rrëzuar vetëm disa muaj më parë, si udhëheqës i partisë pro-biznes, të mbështetur nga Kremlini.

Ndërkohë, Dimitri Mezentsev, 52 vjeçar, e ka udhëhequr rajonin e Irkutskut në lindje të Siberisë, që nga viti 2009. Sikurse Putini, edhe ai u lind në Shën Petersburg dhe të dy punuan bashkë në vitet e 90-ta.

Politikanë të tjerë që planifikojnë të garojnë kundër Putinit në zgjedhjet presidenciale të marsit janë: Vlladimir Zhirinovski, udhëheqës i liberal demokratëve, Sergei Mironov, nga partia “Vetëm Rusia”, Genadi Zjuganov, udhëheqës komunist, si dhe Grigori Javlisnki, nga partia liberale “Jablloko”.
XS
SM
MD
LG