Ndërlidhjet

Klima paszgjedhore në Rusi


Protestat në Moskë.
Protestat në Moskë.
Oligarku mik i Kremlinit, Alisher Usmanov, ka shkarkuar dy menaxherë të lartë të grupit të respektuar të botimit “Kommersant”, për publikimin e shkeljeve të pretenduara në zgjedhjet e 4 dhjetorit.

Usmanov ka thënë se ishte i mërzitur veçanërisht në lidhje me publikimin e një fotografie që tregon një slogan të turpshëm drejtuar kryeministrit Vlladimir Putin, veprim që ai e përshkroi si "kufi i huliganizmit të vogël".

Usmanov ka shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të grupit “Kommersant-Holding”, Andrei Galijev, dhe kryeredaktorin e javores “Kommersant - Vlast", Maksim Kovalsky. Si përgjigje, drejtori i përgjithshëm i grupit të botimit Kommersant, Demian Kudriavtsev, paraqiti dorëheqjen e tij në shenjë proteste.

Kovalski ka konfirmuar shkarkimin e tij për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.

"Arsyeja për largimin tim, ashtu si e kuptoj unë, është çështja e fundit, në të cilën kemi mbuluar detaje të zgjedhjeve. Një pjesë e madhe e materialeve ishin rreth shkeljeve, me të cilat u zhvilluan zgjedhjet", ka thënë Kovalski.

Çështja në fjalë e "Kommersant Vlast" paraqiste mbulimin e javores me një fotografi të Putinit përpara një kutie të votimit me titullin: "Fitorja e Rusisë së Bashkuar – mbushja e fletëvotimeve. Si u falsifikuan zgjedhjet? Provat dhe dëshmitarët okularë".

Shqetësim të veçantë për Usmanovin paraqiti një fotografi e një fletëvotimi me një slogan të turpshëm drejtuar Putinit.

Kovalski mbron vendimin për publikimin e kësaj fotografie, e cila insiston se është dëshmi e qartë e një shkeljeje zgjedhore:

"Ankesa rreth huliganizmit të vogël, për të cilën po flet Alisher Usmanov, me sa duket lidhet me fotografinë e një fletëvotimi, në të cilin i është thënë Putinit të shkojë në një vend të pakëndshëm. Një votues që dha votën e tij në ambasadën ruse në Londër la një mbishkrim të tillë në fletëvotimin e tij. Por, ai gjithashtu vuri një shenjë në hapësirën afër partisë Yabloko”.

Sipas ligjit, një fletëvotim i tillë duhet të njihet si i vlefshëm: ka një shenjë në kutinë e njërës parti dhe kutitë e të gjitha partive tjera janë bosh. Megjithatë, votimi u shpall i pavlefshëm. Ne publikuam fotografinë e atij buletini dhe bëmë një titull që shpjegoi se ishte një fletëvotim i rregullt, por që u shpall i pavlefshëm. Kjo është, ne e dokumentuam një shkelje", ka thënë Kovalski.

Usmanov ka thënë se ai mund ta padisë Kovalskin mbi publikimin e fotografisë. Ndërsa, Kovalski ka shtuar se ai nuk kishte përjetuar kurrë më parë ndërhyrje editoriale në "Kommersant Vlast".

"Nuk ka pasur raste të mëparshme, në të cilat dikush më ka shtyrë për të bërë diçka ose për të mos bërë. Unë kurrë nuk kam përjetuar presion të drejtpërdrejtë. U ndjeva plotësisht i lirë", ka theksuar Usmanov.

Në vitin 2006, Usmanov mori kontrollin e grupit “Kommersant”, i cili boton të përditshmen e biznesit "Kommersant". Ai, gjithashtu, kontrollon disa prona transmetuese që kontrollojnë dhjetëra televizione rajonale dhe stacione të radios.

Gjithashtu në vitin 2006, ai mori kontrollin e ueb-faqes së respektuar, Gazeta.ru. Ai, po ashtu, ka aksione të vogla në rrjetet sociale Facebook dhe Tëitter.

Usmanov ka qenë i lidhur në marrëveshje të ndryshme të biznesit Olga Shuvalovan, gruaja e zëvendëskryeministrit të parë, dhe bashkëpunëtorin e Putinit, Igor Shuvalov.

Sipas "Barrons", Shuvalova raportoi të ardhura prej 12 milionë dollarëve në vitin 2008, 20 milionë dollarë në vitin 2009, dhe 10 milionë dollarë në vitin 2010. Shuvalov ka thënë se të gjitha këto të ardhura vijnë nga dividentët e marra nga investimet në një trust që prej hyrjes në qeveri në vitin 1997.(e.b.)
XS
SM
MD
LG