Ndërlidhjet

Revolucion në xhamitë e Stambollit


Stamboll
Stamboll
Kadrie Avçi Erdemli është zëvendëse e myftiut të Stambollit, ndërsa mision të sajin ka t’i bëjë xhamitë më të kapshme dhe më miqësore për gratë.

“Kur një grua hyn në xhami, ajo hyn në shtëpinë e Zotit dhe duhet ta përjetojë të njëjtin trajtim të shenjtë. Para Zotit, burrat dhe gratë janë të barabartë. Ata i kanë të drejtat e njëjta për të praktikuar fenë e tyre”, thotë Erdemli, e cila udhëheq fushatën që ka për qëllim të sigurojë se kushtet në 3,000 xhamitë e Stambollit janë të barabarta.

Që nga muaji mars, Erdemli ka grumbulluar 30 ekipe për të vizituar xhamitë e qytetit, përkatësisht për të vlerësuar kushtet për gratë. Gjetjet, thotë ajo, kanë qenë tronditëse.

“Ekipet tona kanë zbuluar se shumë xhami nuk kanë tualet për gratë, apo një vend ku të kryejnë abdesin përpara faljes. Vendet e caktuara për gratë janë të pista dhe përdoren si depo. Nuk ka asnjë mundësi që gratë të praktikojnë fenë e tyre”, thotë Erdemli.

Së bashku me pastrimin e seksioneve të grave në xhami, do të hiqen edhe muret e perdet që janë përdorur për të ndarë besimtarët burra dhe gra. Gjatë dy muajve të kaluar, Erdemli ka mbajtur afro 40 takime me imamë dhe zyrtarë fetarë të qytetit, për t’iu shpjeguar se ndryshimet janë në përputhje me Kuranin.

Nisma është pjesë e ndryshimeve shumë më të gjera që po zënë vend brenda Dijanetit – organ ky shtetëror që administron besimin islam në Turqi. Kështu të paktën pohon edhe profesori Istar Gozajdin, ekspert në Universitetin Dogus të Stambollit.

“Dijaneti kujdeset vetëm për xhamitë dhe shërbimet e rregullta. Tani, ai bën përpjekje të arrijë çdo individ të shoqërisë, përfshirë dhe gratë. Brenda dekadës së fundit, ne kemi parë se gratë janë në pozita më të shquara në Dijanet”, thotë Gozajdin.

Në mesin e reformave, të futura vitet e fundit nga Dijaneti, është emërimi e një gruaje në postin e zëvendës-myftiut, siç është Erdemli. Kreu i Dijanetit, Mehmet Gormez, u ka dhënë mbështetje përpjekjeve të Erdemlit për t’i bërë xhamitë më të hapura për gratë.


Për dhe kundër

Në njërën nga rrugët kryesore të Stambollit, gratë, duke folur për fenë, shprehin mbështetje të gjerë për ndryshimet që pritet të ndodhin.

Ajshegyli, 22-vjeçare, thotë se ndryshimet janë shumë të nevojshme.

Seksionet e grave janë shumë më të vogla se ato të burrave. Ato janë si hapësira të braktisura, prapa ose në një kënd. Duhet të ketë kujdes më të madh për seksionet e grave”, thotë ajo.

Ajshegyli i përket klasës së mesme të shoqërisë, që është zhvilluar nën sundimin dhjetëvjeçar të Partisë pro-islamike për Drejtësi dhe Zhvillim. Në mesin e ndryshimeve të bëra gjatë kohës së saj në pushtet, kjo parti ka hequr apo lehtësuar edhe kufizimet në arsimimin apo punësimin e grave.

Ilustrim
Ilustrim
Profesor Gozajdin thotë se bërja e xhamive më të arritshme për gratë, është një hap që ka për qëllim t’i përmbushë kërkesat në rritje të grave të arsimuara.

“Ne shohim, gjithnjë e më shumë, se gratë janë duke u arsimuar në universitete, shohim më shumë gra të punësuara. Në këtë mënyrë, ato janë në gjendje të bëhen më të dukshme në shoqëri. Më herët, ato qëndronin më shumë në shtëpi. Më herët, ato merrnin rolin e tyre tradicional, duke u kujdesur për fëmijët, për shtëpinë etj.”, thotë Gozajdin.

Por, jo të gjithë janë të kënaqur me këto zhvillime.

Ali Bulak, kolumnist për gazetën pro-islamike “Zaman”, që mbulon nismën për xhamitë, vë në pikëpyetje motivet.

“Shpresoj se të gjitha këto përpjekje nuk kanë për qëllim largimin e pengesave për gratë, për t’u larguar nga shtëpia”, shkroi ai më 3 dhjetor.

Komenti ka nxitur një reagim të ashpër të disa shkrimtareve islamike. “Ai po i keqtrajton gratë”, janë përgjigjur ato me zemërim.

Por, derisa në xhaminë Sulejmania të Stambollit dëgjohet thirrja për namaz, të shumtë janë edhe ata që shprehin rezerva për ndryshimet. Pesëdhjetëvjeçari Mehmet Gyl është në mesin e tyre.

“Mendoj se vendi i grave është në shtëpi. Ato duhet t’i praktikojnë lutjet në shtëpi. Xhamitë nuk janë mjaft të mëdha as për burrat. Sidomos gjatë lutjeve të së premtes dhe festave fetare nuk ka hapësirë të mjaftueshme për burrat. Nuk është mirë që gratë të vijnë këtu”, thotë ai.

Shqetësime ka edhe në mesin e vetë grave, sidomos për largimin e ndarëseve në mes të burrave dhe grave në xhami. Një grua që nuk pranon të japë emrin e saj, shprehet:

“Nuk bën pa ndarje me perde; burrat nuk duhet të na shohin. Duhet të jetë një perde. Ky është kodi fetar i sjelljes”, thotë ajo.

Zëvendësja e myftiut, Erdemli, pranon se ka mjaft punë për t’u bërë, për të fituar zemrat e besimtarëve, pavarësisht nga gjinia e tyre. Por, ajo thekson se nuk ka kthim prapa.

“Ky është një projekt i madh, por gjëja më e rëndësishme është transformimi i mentalitetit. Ideja është të edukohet komuniteti përmes imamëve dhe predikuesve tanë. Disa gra mendojnë se është mëkat t’i kryejnë lutjet e tyre të përditshme në prezencën e burrave. Disa burra thonë se nëse ata luten së bashku me gratë, lutjet e tyre nuk do të pranohen. Por, në Kuran nuk ceket që femrat duhet të falen prapa perdes apo që xhamitë janë vetëm për burrat. Në xhami, burrat dhe gratë janë të barabartë para Zotit. Kjo është e vërteta”, thotë Erdemli. (v.t.)
XS
SM
MD
LG