Ndërlidhjet

Ivanov: Greqia të pranojë realitetin maqedonas


Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Shkup, 15 dhjetor 2011.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Shkup, 15 dhjetor 2011.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka kërkuar nga Greqia të pranojë realitetin maqedonas, pasi “me asnjë çmim nuk do të pranohet ndërrimi i identitetit kombëtar, i gjuhës dhe i emrit kushtetues të Maqedonisë”.

Në fjalimin e fundvitit para deputetëve të Kuvendit Republikan, Ivanov ka ftuar Athinën zyrtare që të respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të zhbllokojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Republika e Maqedonisë është realitet. Ky realitet ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë. Për çështjet që paraqesin vlerat tona më të larta, siç janë: identiteti, gjuha, kultura e kushtetuta, as që duam e as që ka nevojë të diskutohet. Askush në botë nuk ka të drejtë që vlerat tona më të larta t’i kontestojë, pasi ato vetëm mund të konstatohen dhe të respektohen”, ka deklaruar presidenti Ivanov.

Ai ka thënë se zgjidhja e kontestit për çështjen e emrit mund të gjendet vetëm në kuadër të OKB-së dhe kornizës së përcaktuar me marrëveshjen e përkohshme mes dy vendeve, me çka do të zhbllokohej procesi i integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, që, sipas presidentit Ivanov, është edhe prioritet kryesor i qytetarëve të Maqedonisë.

“Bllokimi i një qëllimi të këtillë të rëndësishëm për një kolektivitet të tërë është papërgjegjësi, mungesë e vizionit dhe veprim që bie ndesh me kohën në të cilën jetojmë. Dalja nga kjo situatë është shumë më e lehtë sesa që mendohet. Kjo mund të arrihet vetëm nëse secila nga palët i përmbahet kornizës së përcaktuar nga Kombet e Bashkuara, që për bazë ka marrëveshjen e përkohshme”, është shprehur Ivanov.

Gjatë fjalimit të presidentit Ivanov...

Gjatë fjalimit të presidentit Ivanov...

Presidenti i Maqedonisë ka ftuar Greqinë që të heqë dorë nga argumentet e më të fortit dhe të pranojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që konstatoi shkeljen e marrëveshjes së përkohshme nga ana e Greqisë.

Ivanov ka kërkuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare që të veprojë në drejtim të respektimit të këtij vendimi, që, sipas tij, edhe një herë ka konfirmuar argumentet e Maqedonisë se pala greke është ajo që pa të drejtë bllokon integrimin e këtij vendi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Presidenti Ivanov ka folur edhe për raportet ndëretnike në Maqedoni, duke u ndalur në veçanti tek incidentet lidhur me djegien e flamurit maqedonas, por pa përmendur me këtë rast fyerjet e shumta ndaj shqiptarëve dhe djegien e flamurit të tyre kombëtar.

“Të gjithë atyre që mendojnë se duke djegur flamurin, flamurin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, do të djegin edhe bashkëjetesën, u them se nuk do të kenë sukses”, ka deklaruar Ivanov, duke folur më tej edhe për Marrëveshjen e Ohrit, e cila, sipas tij, paraqet modelin dhe zgjidhjen e vetme për marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Ata që kërkojnë alternativa të tjera, Ivanov i ka porositur të mos harxhojnë energji, "pasi nuk do t'ia arrijnë qëllimit".
XS
SM
MD
LG