Ndërlidhjet

Kosova ka vetëm shtatë inspektorë farmaceutikë. Sipas kreut të tyre, Haki Ejupi, kjo shifër paraqet numër të vogël inspektorësh për t’i luftuar dukuritë e shumta negative në fushën e farmaceutikës.

Andaj si pasojë, barna pa afat mund të blesh në barnatoret e qytetit.

Ilustrim

Ilustrim

Kjo i ka ndodhur një qytetari nga Prishtina, Xhavit R., i cili me recetë të mjekut ka blerë një ilaç për fëmijën 3 vjeçar, ilaç i cili doli të jetë me afat të skaduar.

Kam blerë me recetë të mjekut ilaç që ka kushtuar 2.50 euro. E kam blerë për fëmijë, në njërën nga barnatoret. Pasi që e kam aplikuar te fëmija, ka pasur reaksion. Pastaj e kam vërejtur se e ka një erë të keqe. Kur e kam shikuar afatin e përdorimit, kam parë se i ka skaduar afati”, thotë ai.

Por zyrtarë në departamentin farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se shitja e barnave pa afat në barnatoret e Kosovës, duhet të jetë përgjegjësi e vetë profesionistëve të barnatoreve, pasi që është e pamundur kontrolla në detaje.

Bekim Fusha, udhëheqës i këtij departamenti , thotë se farmacistët duhet ta bëjnë seleksionimin e barnave ashtu siç e parasheh ligji në fuqi.

Vetë farmacistët e barnatoreve duhet ta krijojnë një procedurë të qartë të veprimit se si duhet të veprojnë me barnat të cilat e kanë afatin e shkurtë të skadimit. Ky është një trajtim preventiv, që të identifikohen me kohë barnat që iu skadon afati”, shprehet Fusha.

Ndërkaq, kryetari i shoqatës së farmacistëve të Kosovës, Besim Muzaqi, thotë se shitja e barnave pa afat është një prej dukurive më të shëmtuara.

Unë mendoj se çështja e barnave me afat të skaduar është një prej dukurive më të shëmtuara. Por, shpresoj që të mos jetë dukuri, por të jetë ndonjë rast i izoluar i cili në çdo moment duhet të raportohet dhe të merren masat e nevojshme”.

Sidoqoftë tregu i zi me barna në Kosovë është një problem shqetësues, si për punëtorët shëndetësorë, po ashtu edhe për pacientët dhe qytetarët në përgjithësi.

Haki Ejupi, monitorues i sistemit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, tashmë ka deklaruar se rreth 25 për qind e barnave në tregun kosovar kontrabandohen dhe hyjnë prej kanaleve jo të autorizuara për shitje.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG