Ndërlidhjet

Qeveria s’ka me kë të bisedojë në veri


Qeveria e Kosovës...

Qeveria e Kosovës...

Qeveria e Kosovës është në kërkim të gjetjes së formave dhe mënyrës së vendosjes së dialogut të drejtpërdrejtë me serbët e veriut, pjesë kjo e trazuar e vendit, ku përfaqësuesit politikë të atjeshëm nuk njohin shtetin dhe institucionet e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qëllimet janë që përmes kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët, ata të fuqizohen përmes ndihmës së institucioneve të Kosovës dhe gradualisht ata të organizohen dhe zgjedhin përfaqësuesit e ligjshëm përmes ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Kuçi thotë se vendosja e këtij komunikimi që ka munguar për më shumë se një dekadë, kërkon një koordinim me të gjithë faktorët e brendshëm relevant.

“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe do të koordinohemi edhe me faktorët ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, por njëkohësisht edhe me qytetarët tanë serbë atje, si edhe me partitë serbe që janë funksionale. Përmes këtij koordinimi të plotë, më pastaj të punojmë me njerëzit atje, jo në logjikën e gjetjes së “njerëzve të ndershëm”, por me logjikën e takimit të njerëzve legjitimë dhe legalë që përfaqësojnë serbët dhe qytetarët atje”, thotë Kuçi.

Dragisha Krstoviq, një politikan serb nga komuna veriore e Leposaviqit, thotë se dialogu është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve. Por, në këtë moment, ai nuk sheh gatishmëri nga përfaqësuesit aktualë serbë atje.
Gjendja aktuale është e atillë që sot atje nuk ka ndonjë serb që ka legjitimitet.



“Gjendja aktuale është e atillë që sot atje nuk ka ndonjë serb që ka legjitimitet. Ka disa kryetarë të komunave të zgjedhur me ligjet serbe, por të cilët nga institucionet e Kosovës cilësohen si struktura paralele”, thotë Krstoviq.

Sipas Kërstoviqit, për të nisur një dialog, përfaqësuesit politik duhet të kenë dhe një mandat dhe legjitimitet të fituar nga votat e qytetarëve. Kështu që, tash për tash nuk sheh ndonjë mundësi për një dialog me Qeverinë e Kosovës, ndonëse vlerëson se sa më shpejt që do të nisej një dialog i tillë, aq më mirë do të ishte për të gjithë.

Serbët në Mitrovicë...

Serbët në Mitrovicë...

Lidhur me atë nëse Qeveria është e gatshme të bisedojë edhe me përfaqësuesit e strukturave paralele në veri, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në anën tjetër, thotë se Qeveria nuk legalizon askënd, por rikujton se këta përfaqësues veprojnë sipas interesave të politikës së Serbisë fqinje.

“Ata nuk janë njerëz që paraqesin legjitimitet demokratik, përkundrazi ata janë njerëz që mbajnë vullnete të ndrydhura të qytetarëve atje dhe janë njerëz që përfaqësojnë politikën e një shteti fqinj në Kosovë, por mbi të gjitha do të thosha politikën frenuese të zhvillimeve pozitive në Kosovë. Ata dhe secili njeri në atë pjesë duhet të legalizohet dhe të fitojë legjitimitetin demokratik përmes votimeve që i organizojnë institucionet qendrore dhe i votojnë qytetarët atje”, thekson Kuçi.

Ndërkohë, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, inkurajon Qeverinë e Kosovës që të vendosë komunikimin me serbët e veriut.

Sapo në veri të krijohet një qëndrueshmëri nga aspekti i sigurisë, Qeveria do të duhet të vendosë këtë komunikim me individët, përfaqësuesit politikë dhe qytetarët në veri, thotë Feith, duke besuar se serbët e kësaj pjese të Kosovës kanë nevojë për një vizion për të ardhmen.

Piter Feith

Piter Feith

Besoj se një dialog i brendshëm në Kosovë është i nevojshëm në mënyrë që të fitohen zemrat dhe mendjet e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe komunitetin serb në veriun e Kosovës”, potencon Piter Feith.

Veriu i Kosovës nuk i është nënshtruar asnjëherë sistemit legal kushtetues të Kosovës, duke zbatuar vetëm ligjet e Serbisë. Kjo pjesë, paraqet sfidën më të madhe të shtrirjes së sovranitetit të shtetit më të ri në Evropë.

Përfaqësuesit e atjeshëm serbë kanë paralajmëruar edhe masa tjera që do të çonin kah ndarja e kësaj pjese nga Kosova, nëse autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare synojnë të shtrijnë pushtetin atje. Kurse, prapa këtyre qëllimeve, Prishtina zyrtare në vazhdimësi ka akuzuar se qëndron Qeveria e Serbisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG