Ndërlidhjet

Krasniqi mban fjalim për Kosovën në Akademinë Diplomatike të Vjenës



Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, ka mbajtur mbrëmë një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Vjenës, me temën: “Pavarësia e Kosovës dhe zhvillimet aktuale të saj”.

Gjatë fjalimit të tij, Krasniqi ka thënë se Kosova respekton e mbron të drejtat dhe liritë e njeriut, të drejtat e pakicave, parimet e demokracisë parlamentare, të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut.

Ai gjithashtu ka thënë se ka ardhur koha e qartësimit të hapave të Kosovës drejt integrimit evropian dhe fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Krasniqi ka përmendur edhe premtimin e BE-së për fillimin e shpejtë të dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, marrëveshjet tregtare, mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në BERZH dhe përfitime të tjera të mundshme nga programet e BE-së.

Sipas Krasniqit, Kosova është në proces të forcimit të sundimit të ligjit, ndërsa lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është kthyer në një nga prioritetet e para të Kosovës, për të pastruar rrugën drejt një shteti të vërtetë ligjor, demokratik dhe të integruar në Evropën e Bashkuar.

Në përmbyllje të fjalimit, Krasniqi ka kërkuar nga austriakët që të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në procesin e shtet ndërtimit demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar e të integrimeve euroatlantike.
XS
SM
MD
LG