Ndërlidhjet

logo-print

“Kompakti fiskal” në rrezik


Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, dhe ai holandez, Mark Rut, para nisjes së punimeve të samitit të BE-së, ku është rënë dakord për një marrëveshje të re për shpëtimin e euros, përkatësisht për "kompaktin e ri fiskal". Bruksel, 9 dhjetor 2011.

Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, dhe ai holandez, Mark Rut, para nisjes së punimeve të samitit të BE-së, ku është rënë dakord për një marrëveshje të re për shpëtimin e euros, përkatësisht për "kompaktin e ri fiskal". Bruksel, 9 dhjetor 2011.

"Economist"

Autoritetet evropiane tashmë janë jashtëzakonisht të zëna në hartimin e një “kompakti” fiskal, të paraparë për rivendosjen e disiplinës në ekonominë e Eurozonës. Nga viti i ri, të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, pos njërit, do të nisin së zbatuari detajet e këtij traktati. Britania e Madhe, e cila nuk u është bashkuar 26 partnerëve të saj, ka premtuar se do të mbesë pjesa qendrore e unionit, ndërsa Londra do të jetë kryeqyteti financiar i Evropës.

Por, përkundër kësaj arritjeje, liderët e Evropës kanë dështuar të zgjidhin euro-krizën.

Traktati i ri shumë lehtë do të mund të shkatërrohet nga tregjet apo nga refuzimi i tij në një apo më shumë vende të Eurozonës. Derisa investitorët dhe votuesit po humbasin besimin, detyra për ruajtjen e monedhës së vetme bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Kjo çështje kërcënon të ndryshojë edhe natyrën e Bashkimit Evropian dhe atë jo në një mënyrë të mirë. Njëra nga arsyet është se ai ka kurdisur një kurs të gabuar për euron. Tjetra është se Britania – një ambivalente e madhe për anëtarësimin e saj – ka lëvizur më shumë drejt braktisjes, qoftë edhe aksidentalisht.

Dhe, një BE pa Britaninë do të ishte më e kufizuar dhe më pak liberale. Një BE pa euron, madje, nuk mund të ekzistojë fare.

Qeveritë duhet të angazhohen për rregulla të besueshme fiskale, që ofrojnë stimuj për sjellje të mirë. Ato duhet të marrin një formë të përgjegjësisë së përbashkët për borxhet, ndërsa Banka Qendrore Evropiane duhet t’iu japë mbështetje anëtarëve me mundësi pagese.

Kjo do të kërkonte shumë punë për t’u bërë, sidomos për reformimin e sistemit bankar, por, investitorët, të paktën, do të shihnin një rrugë të qartë përpara.

Mirëpo, në vend të kësaj ka pasur një tjetër mashtrim – as qeveritë, as Banka Qendrore Evropiane nuk kanë bërë sa duhet. Në prag të takimit të fundit, Banka ka zgjeruar mbështetjen e saj për bankat e Eurozonës. Një gjë e tillë do t’i ndihmojë ato dhe në teori do të ushqejë kërkesën për borxhin sovran të Eurozonës, porse nuk do t’i ndihmojë investitorët.

Qeveritë kanë bërë edhe më pak. Ato vërtet u zotuan për para shtesë, në formën e kredive për Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe lanë hapur mundësinë për rritjen e fondit të shpëtimit të Eurozonës, por, që tani, ka shenja se jo të gjitha të hollat do të jepen ashtu siç është premtuar.

Të gjitha qeveritë që janë dakorduar me idenë e një kompakti, paralajmërojnë se ratifikimi i tij varet nga detajet. Qeveria irlandeze është nën presion për të mbajtur referendumin, që do të luftonte për të fituar. Parlamentet e Sllovakisë dhe Republikës Çeke mund të pengojnë. Kandidati presidencial në Francë, i cili udhëheq sipas sondazheve, thotë se do të rishikojë marrëveshjen. Pra, të gjithë në Evropë po murmurojnë se Gjermania, që ka përfituar shumë nga euroja, po kërkon shumë nga të tjerët.

Nëse euro bie dhe traktati shkatërrohet, kryeministri i Britanisë, Dejvid Kameron, mund të pretendojë se kishte të drejtë.

Britania mund t’iu ndihmojë vendeve që nuk përdorin euron e që janë tallur me kufizimet e traktatit të ri, ashtu si edhe vendeve të Eurozonës që duan t’i rezistojnë proteksionizmit, përfshirë dhe Gjermaninë. (v.t.)

***Titulli është përshtatur nga redaksia.
XS
SM
MD
LG