Ndërlidhjet

logo-print

BE dhe FMN ndërprejnë bisedimet me Hungarinë


Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar sot kanë ndërprerë bisedimet paraprake me Hungarinë për një paketë ndihme financiare për shkak të lëvizjeve të qeverisë së këtij vendi për të kufizuar pavarësinë e bankës qendrore.

Hungaria në nëntor njoftoi se do të kërkojë një marrëveshje për ndihmë të papërcaktuar nga FMN dhe BE.

Vëzhguesit ndërkombëtarë si dhe BE e FMN, kanë qenë kritikë ndaj hapave të ndërmarrë nga kryeministri, Viktor Orban, për të fituar ndikim më të madh mbi Bankën Kombëtare të Hungarisë, të udhëhequr nga Andras Simor.

Një ligj i ri që rregullon bankën qendrore është duke u debatuar në parlament, dhe të mërkurën, u zbulua se qeveria po përgatit gjithashtu për bashkimin e mundshëm të bankës qendrore dhe rregullatorit financiar të Hungarisë.

Një deklaratë nga zyra e Komisionerit të Çështjeve Monetare të BE-së, Olli Rehn, njoftoi sot se FMN dhe BE "kanë vendosur të ndërpresin misionin përgatitor".

Bisedimet zyrtare mes Hungarisë, FMN-së dhe BE-së është dashur të fillojnë në janar.
XS
SM
MD
LG