Ndërlidhjet

Prognoza të ndryshme për rritjen ekonomike


Ilustrim

Ilustrim

Maqedonia ndodhet në krizë ekonomike.

Këtë e pranojnë drejtuesit e resorëve ministrorë për çështje të ekonomisë, por pavarësisht kësaj, ata janë optimistë se Maqedonia do t'i arrijë parashikimet që ky vit të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.5 për qind, kurse viti i ardhshëm madje me 4.5 për qind.

Paralelisht pritjeve, nga Qeveria thonë se do t'i ndihmojnë edhe kompanitë që mund të preken nga kriza ekonomike, pasi, sipas tyre, Maqedonia nuk mund të mbetet imune nga ngjarjet në ekonominë botërore.

Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

“Qeveria do të angazhohet në krijimin e një klime të mirë për biznesin, të sigurojë rritjen e kërkesës aty ku më tepër mund të ndikojë, pra në tregun vendor dhe dëshmi për këtë është rritja e fondeve për investime kapitale në buxhet që shifrat të arrijnë nivelet më të larta deri tani”, thotë Vlladimir Peshevski, zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Peshevski nuk përjashton edhe mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve tjera për tregti të lirë me shtete tjera me qëllim që edhe më tej të krijohen hapësira për zhvillimin e ekonomisë vendase.

Por, me pritjet dhe parashikimet e Qeverisë maqedonase nuk pajtohen ekspertët dhe ish-drejtuesit e lartë të qeverisë së kaluar.

“Nëse analizojmë të dhënat në tre vjetët e fundit, ne do të shohim se Maqedonia vazhdimisht fundoset. Në vitin 2009 kishim rritje negative të ekonomisë, e në veçanti të prodhimit industrial; një vit më vonë situata ishte edhe më e rëndë pasi rënia e prodhimtarisë ishte më e lartë. Situatë e ngjashme është edhe këtë vit. Të dhënat e para një muaji flasin për një rënie prej 3 për qind të prodhimit vendor”, vlerëson Nikolla Popovski, ish-ministër i Financave nga radhët e Lidhjes Socialdemokrate.

Ekspertët konsiderojnë se është jonormale që në kushte të një varfërie të skajshme, të rritjes së numrit të të papunëve dhe mungesës së investimeve të jashtme, të pritet rritje e madhe ekonomike.

“Është e papranueshme që Ministria e Financave të dalë me prognoza që përmbajnë vlerësime jo të sakta lidhur me rritjen ekonomike, duke mbrojtur me kokëfortësi rritjen ekonomike prej 4.5 për qind në kohën kur nga FMN-ja, ato prognoza tashmë janë prej 2 për qind. Mendoj se Qeveria duhet të bëjë një analizë strategjike të mirë, t’i analizojë të gjitha imputet, të gjithë faktorët që çojnë deri tek influencimi i krizës në Maqedoni dhe të dalë me prognoza të qarta të rritjes ekonomike”, thotë Izet Zeqiri, profesor universitar dhe deputet i RDK-së opozitare.

Zeqiri, madje, thotë se edhe rritja që parashikohet për vitin e ardhshëm prej 2 për qind apo rritja e këtij viti, nuk është reale, pasi kjo nuk vërehet në mesin e qytetarëve.

Ne kemi një situatë ku mbi 31 për qind të popullsisë e kemi në varfëri, çdo i treti qytetar në Maqedoni jeton në prag të varfërisë ekstreme, kemi diku rreth 300 mijë të papunë dhe gjitha këto të dhëna janë dëshmi se Maqedonia ndodhet në një gjendje shumë të rëndë ”, shprehet Zeqiri.

Në raportin e fundit për Maqedoninë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, përveç parashikimit për një rritje prej 2 për qind, i ka rekomanduar Qeverisë që në rast të përkeqësimit të krizës ekonomike në botë, t’i shkurtojë shpenzimet buxhetore, por pa rrezikuar pagat për punonjësit administrativë, pensionet, projektet sociale dhe realizimin e investimeve kapitale.
XS
SM
MD
LG