Ndërlidhjet

Ndihmë johumanitare


Konvoji i ndihmave ruse për serbët e veriut, i përcjellë nga EULEX-i.
Konvoji i ndihmave ruse për serbët e veriut, i përcjellë nga EULEX-i.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se ndihma ruse për banorët serbë të veriut të Kosovës, nuk është e karakterit humanitar, siç pretendohet nga dërguesit e saj.

Ata shfaqin dyshimet se ndihmat do t’u shërbejnë serbëve për përforcimin e barrikadave, të vendosura nga ta që nga fundi i muajit korrik.

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se përmbajtja e ndihmave dëshmon qëllimin e destinimit të tyre.

“Ky ka qenë një vendim politik i tyre, për arsye se krizë humanitare në veri nuk ka. Vetë përmbajtja e atyre ndihmave, si: tenda, gjeneratorë e stufa, e ka qëllimin më shumë t’iu ndihmojë strukturave ilegale, për të krijuar kushte që të qëndrojnë në barrikada. Aty kam dëgjuar që ka edhe ushqim të konservuar”, deklaroi Rexhepi.

Dyshimet e tij, ministri Rexhepi i bazon në mosdërgimin e ndihmave në pjesët e tjera të Kosovës të banuara me serbë. Ai tha se, sikur ndihmat ruse të synonin ndihmë humanitare, ato do të shpërndaheshin edhe në pjesën qendrore të vendit, e jo vetëm në veri, ku Prishtina zyrtare has në kundërshtimin kategorik të serbëve për t’i pranuar institucionet shtetërore të saj.

Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi
“Këto ndihma, po të kishin karakter humanitar, do të ishin dërguar edhe te serbët tjerë nëpër Kosovë, e jo vetëm në veri. Pra, ky ka qenë një projekt i strukturave politike ruse dhe ambasadorit rus në Beograd, Konuzin. Kështu që, kjo më së paku ka të bëjë me ndihmë humanitare”, theksoi Rexhepi.

Pas kthimit nga Kosova në Beograd, ambasadori rus, Aleksander Konuzin, mbajti një konferencë për media, ku situatën humanitare në Kosovë e cilësoi si mjaft të keqe.

“Sapo ka rënë terri në Leposaviq, është ndalur rryma dhe kryetarët e komunave na informuan se situata e tillë përsëritet çdo ditë. Ne kemi sjellë gjeneratorë, të cilët do të përdoren për këtë qëllim. Kam përshtypjen se njerëzit na shihnin si shpresën e tyre të fundit, ngase nuk e dinë se çfarë e ardhmeje i pret dhe nuk shohin askënd afër vetes që do të mund t’iu ndihmonte”, tha veç tjerash ambasadori Konuzin.

Pas kontrollit doganor, nën përcjelljen e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, konvoji prej 27 kamionësh me ndihma ruse për banorët serbë të veriut të Kosovës hyri të premten në mëngjes në vendkalimin kufitar në Jarinë.

Konvoji me ndihma humanitare nga Rusia për disa ditë ishte bllokuar në vendkalimin kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, Jarinë, pasi serbët refuzonin kontrollin doganor dhe shoqërimin e tyre nga EULEX-i.

Problemi u zgjodh me një marrëveshje ndërmjet Komisionit Evropian dhe shtetit rus - marrëveshje kjo që mundësoi depërtimin e ndihmave në veri nën përcjelljen e pesë veturave të EULEX-it.
XS
SM
MD
LG