Ndërlidhjet

Filipine: Rritet numri i viktimave


Përmbytjet në qytetin Iligan të Filipineve, 17 dhjetor 2011.
Përmbytjet në qytetin Iligan të Filipineve, 17 dhjetor 2011.
Numri i të vdekurve nga vërshimet dhe rrëshqitja e tokës në Filipine është rritur në rreth 500.

Kryqi i Kuq tha të dielën se 497 persona kanë vdekur dhe më shumë se 160 janë të zhdukur si pasojë e stuhisë tropikale, i cila goditi Filipinet jugore të premten mbrëma.

Kryqi i Kuq paralajmëroi se ka gjasa të konfirmohen edhe më shumë viktima. Dhjetëra mijëra njerëz kanë marrë strehim në qendrat e evakuimit.

Shumica e viktimave janë nga dy qytetet bregdetare, Kagajan de Oro dhe Iligan.

Stuhia ka goditur rajonin jugor të Mindanaos, duke shkaktuar vërshimin e lumenjve nga shtretërit.

Zëdhënësi i ushtrisë, kolonel Leopoldo Galon, tha se rreth 10,000 trupa kanë nisur operacionet e shpëtimit dhe po kërkojnë për të mbijetuarit, ndërkohë që mijëra njerëz kanë braktisur shtëpitë, për t’u larguar në terrene më të larta.

Shumë zona kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa disa fluturime vendore janë anuluar për shkak të erërave të forta, që kapin shpejtësinë prej 90 kilometrash në orë.

Sekretari i Mbrojtjes, Volter Gazmin, tha se autoritetet përkatëse po hetojnë raportet, sipas të cilave është përmbytur një fshat i tërë.

Zyrtarët po ashtu u kanë bërë thirrje vullnetarëve të ndihmojnë me ushqime për të zhvendosurit. (v.t.)


Pamjet: Telegraph

XS
SM
MD
LG