Ndërlidhjet

Ndryshimet çojnë kah presidencialet


Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë - foto nga arkivi.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë - foto nga arkivi.

Gjatë vitit 2012, Kosova mund të organizojë zgjedhjet e para presidenciale, të cilat do të sillnin si rezultat presidentin e zgjedhur drejtpërdrejt nga votat e qytetarëve.

Komisioni parlamentar për ndryshime Kushtetuese është në fazën finale të prezantimit të këtyre ndryshimeve, ndërkohë që po punon edhe në hartimin e Ligjit për presidentin.

Anëtarja e Komisionit, Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se çështja e vetme që ka mbetur e paharmonizuar deri në fund, është ajo e dyshtetësisë së presidentit. Përderisa çështjet tjera, sipas saj, tashmë janë harmonizuar dhe kanë marrë edhe mbështetjen e pjesës më të madhe të spektrit politik në vend.

“Të drejtë propozimi kanë subjektet politike, qoftë parti apo koalicione, që kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit, apo qytetarët me iniciativat e tyre me anë të peticionit që duhet ta nënshkruajnë 15 mijë qytetarë me të drejtë vote. Kemi paraparë një mandat pesëvjeçar, pastaj sa i përket zëvendësimit të presidentit, është paraparë që të vazhdohet me alternativën siç ka qenë deri tani, do të thotë ushtrues detyre të jetë kryetari i Kuvendit”, thotë Vjosa Osmani.

Zgjedhja e presidentit mund të shkojë në dy rrethe votimi. Me zgjedhjen e drejtpërdrejtë, roli dhe fuqia e presidentit pritet të jetë shumë më e madhe me Kushtetutën e amendamentuar.


Profesori Riza Smaka e sheh si pozitive rolin që në një shtet dhe në një shoqëri mund të ketë një president të zgjedhur nga vota e popullit.

“Do të duhej të ishte i pavarur, me një sovranitet, me një integritet në mënyrë që të sigurojë një stabilitet politik, pa marrë parasysh vlimet ndërpartiake apo krizat e ndryshme që mund të ndodhin në Kuvend. Kështu do ta kishim një institucion stabil, i cili do ta kishte një integritet”, thekson Smaka.

Ndonëse kanë përkrahur zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, disa subjekte politike nuk pajtohen megjithatë me shkallën e kompetencave që i janë caktuar atij.

Deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tërheq vërejtjen për kompetencat e përziera të presidentit dhe kryeministrit. Ai kërkon që të definohet qartë se kreu i Qeverisë ka vetëm kompetenca ekzekutive.

Ardian Gjini

Ardian Gjini

“Mendojmë se ka ngatërrim të kompetencave mes presidentit dhe kryeministrit. Kosova nuk duhet t’i ketë dy pushtete ekzekutive, duhet të ketë vetëm një, për shkak se dy e ngatërrojnë qeverisjen në vend”, shprehet Gjini.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, deputetja Vjosa Osmani thotë se do të miratohet edhe një dispozitë kalimtare, e cila do të kërkojë shpalljen e zgjedhjeve të presidenciale brenda gjashtë muajve.

“Do të parashihet që gjashtë muaj nga momenti i hyrjes në fuqi të këtyre amendamenteve duhet të mbahen zgjedhjet presidenciale. Por, natyrisht i takon Kuvendit që ta votojë edhe këtë amendament”, shton Osmani.

Një dispozitë e tillë për zgjedhje presidenciale përderisa Kosova ka një presidente me mandat të plotë, nga profesori Riza Smaka konsiderohet si jo kushtetuese. Ai nuk e përjashton mundësinë që në rast të shpalljes së zgjedhjeve presidenciale nga Kuvendi, Gjykata Kushtetuese ta anulojë vendimin.
Kur fitohet një e drejtë në bazë ligjore, e aq më tepër në bazë të Kushtetutës dhe procedurës kushtetuese, ajo quhet e drejtë e fituar.



Kur fitohet një e drejtë në bazë ligjore, e aq më tepër në bazë të Kushtetutës dhe procedurës kushtetuese, ajo quhet e drejtë e fituar. Jam i sigurt se mund të ndodhë që në Gjykatën Kushtetuese të anulohet një dispozitë e tillë”, vlerëson Smaka.

Sidoqoftë, ndryshimet kushtetuese pritet që ta bëjnë Kosovën me një sistem të përzier presidencial - parlamentar. Ndërkaq, u mbetet vendimeve dhe konsensuseve politike nëse vendi do të shkojë në zgjedhje qysh në vitin 2012 - 2013 apo pas mandatit të presidentes aktuale, i cili skadon më 2016.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG