Ndërlidhjet

Koreja e Veriut humb "liderin e dashur"


Kim Xhong Il
Kim Xhong Il

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Xhong Il, ka ndërruar jetë, duke lënë pas vetes pyetje dhe dyshime lidhur me të ardhmen e dinastisë së familjes së tij, dhe të vendit që ka udhëhequr për 13 vite.

"Po ju njoftoj me trishtim se udhëheqësi jonë i madh, Kim Xhong Il u nda nga jeta për shkak të sëmundjes së papritur në rrugën e tij në një udhëtim më 17 dhjetor 2011”.

Me këtë njoftim, të bërë nga një lexuesja e përlotur e lajmeve këtë mëngjes, Koreja e Veriut hyri në një epokë të re të pasigurisë duke vënë fqinjët e këtij vendi të armatosur me armë bërthamore në gatishmëri.

Ndërroi jetë Kim Xhong Il
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:53 0:00

Vitet e sundimit të 69 vjeçarit Kim, u shënuan me ndjekjen e tij për një program të armëve bërthamore në koston e izolimit ndërkombëtar dhe vuajtje të pathëna të popullsinë së uritur të këtij vendi të varfër.

Vdekja e tij duket se do të lë djalin e tij të tretë dhe më të ri, Kim Xhong Un, në krye të vendit. Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA të hënën përgëzoi Kimin e ri si një "pasardhës i madh" dhe "udhëheqës i shquar i partisë, ushtrisë, dhe njerëzve".

U deshën dy ditë për të njoftuar vdekjen e udhëheqësit suprem, megjithatë u ngritën pyetje lidhur me të ardhmen e dinastisë së familjes.

I njohur nga Koreja e Veriut, si "pasardhës i madh i çështjes revolucionare", Kim erdhi në pushtet nga vdekja e babait të tij, themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, në vitin 1994.

Kim Xhong Il besohet te ketë lindur me 16 shkurt 1942 dhe sipas të dhënave zyrtare në Korenë Veriore, ditëlindja e tij ishte shoqëruar me shpërfaqjen e një ylli të posaçëm dhe një ylberi të ndritshëm.

Lideri që ishte i njohur për pirje të duhanit dhe konjakut, besohet të ketë pasur diabet dhe sëmundje të zemrës.

Nën sundimin e tij ekonomia e Koresë së Veriut ra më thellë në varfëri dhe deri në një milion bashkatdhetarë të tij llogaritet të kenë vdekur nga uria shkatërruese në vitet 1990.

Kim Xhong Il, i cili besohet të ketë pësuar një goditje në zemër në vitin 2008, thuhet se vdiq të shtunën (17 dhjetor) nga një sulm në zemër, ndërsa ishte në një udhëtim me tren.

Koreja e Jugut, e cila ka qenë në konflikt me fqinjin e saj në veri për më shumë se 60 vjet, ka vënë ushtrinë e saj në gatishmëri.

Mbikëqyrja është rritur përgjatë kufirit të dy vendeve, edhe pse presidenti Li Mjung Bak bëri thirrje për qetësi dhe u kërkoi banorëve të Jugut të vazhdojnë me jetën e përditshme.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Barak Obama ka pasur një bisedë telefonike me Linë dhe "riafirmoi angazhimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për stabilitet në gadishullin Korean".

Shtetet e Bashkuara kishin pak marrëdhënie me Kim Xhong Il, kryesisht si rezultat i ndjekjes së armëve bërthamore. Presidenti Xhorxh Bush e pati listuar Korenë e Veriut në mesin e tre vendeve në "Boshtit të së Keqes", dhe kishte deklaruar se ai kurrë nuk do të tolerojë një Veri bërthamor.

Vitet e konfrontimit mbi çështjen bërthamore të Koresë së Veriut e kishin bërë atë një shtresë të ulët ndërkombëtare, me Kinën që shpesh luante rolin e mbrojtës në sallat e Kombeve të Bashkuara.

Në një deklaratë sot, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Zhaoxu Ma tha se ata shprehin ngushëllimet e tyre të thella dhe dërgojnë ngushëllime të sinqerta për njerëzit e Koresë së Veriut.

Televizion kinez, CCTV, ka transmetuar pamjet e sotme të koreanëve të veriut duke mbajtur zi në rrugët e kryeqytetit, Pjongiang.

Koreja e Veriut kohët e fundit kishte treguar interes në rifillimin e të ashtuquajturave "bisedime gjashtë palëshe" mbi programin e saj bërthamor që u pezulluan në vitin 2009.

Por drejtimi i politikës së jashtme të vendit është tani në duart e Kim Xhong Un, i cili ka mbajtur një pjesë të vogël e posteve ushtarake dhe të tjera, por kurrë nuk është takuar me udhëheqësit e botës.

Zyrtarët e shtetit kanë deklaruar një periudhe zie kombëtare deri me 29 dhjetor.(e.b.)


Korea Veriore qanë për liderin e saj
XS
SM
MD
LG